Basha: Të numërohet çdo votë e qytetarëve të Tiranës

Jun 14, 2011 | 11:41

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, do të presë vendimin e institucioneve. I kontaktuar nga gazeta pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor për hapjen e kutive edhe për 368 qendrat e tjera të votimit, Basha u shpreh se ai është i vendosë që të presë deri në fund verdiktin e institucioneve. Sipas tij, më e rëndësishme është që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe çdo votë të numërohet. Basha u shpreh se vlera e demokracisë qëndron në dëgjimin e zërit të çdo qytetari dhe ai është i vendosë ta respektojë këtë. Më herët, Basha në një dalje publike mediatike u shpreh se demokracia funksionon me pranimin e verdiktit të çdo vote për qytetarët. Sipas tij, vlera e procesit në Tiranë qëndroi në dëgjimin dhe vlerësimin e çdo vote. “Demokracia funksionon më lehtë kur rezultati është i thellë, por demokracia e provon fuqinë dhe qëndrueshmërinë e saj kur rezultati është i ngushtë, vetëm nëpërmjet respektimit të verdiktit të çdo zgjedhësi, veprimit vetëm brenda institucioneve dhe zbatimit të ligjit. Unë kam besim se ne mund të provojmë para botës mbarë se demokracia jonë është e qëndrueshme, se ajo nuk funksionon mirë vetëm kur rezultati është i thellë, por veçanërisht kur kemi një rezultat të ngushtë. Por, më shumë se kaq unë kam besim te ju, te qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar dhe vullneti juaj, zëri juaj dhe vota juaj duhet të respektohet nga të gjitha palët. Dhe bash për këtë arsye, çdo votë duhet të numërohet dhe zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet”, ka thënë Basha.

© Panorama.al

Te lidhura