Basha me kreun e Bashkisë së Uashingtonit, asistencë për punësimin në Tiranë

Feb 1, 2012 | 10:55

Kryetari i bashkise se Tiranes, Lulzim Basha dje gjate takimit me homologun e Uashingtonit, Vincent Gray

Kryebashkiaku: Do nisim të bashkëpunojmë. Asistencë për punësimin

Takimi me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit, Vincent Gray

Bashkia e Uashingtonit do të ndihmojë Bashkinë e Tiranës në krijimin e zyrës së punësimit, ndërtimin e linjës së tramit, përmirësimin e cilësisë së jetës, duke nisur me hapësirat e gjelbra dhe cilësinë e ajrit.
Po kështu, do t’i vërë në shërbim planin e zhvillimit të Uashingtonit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit, Vincent Gray. Basha e ka njohur homologun e tij me projektet për ta bërë Tiranën një qytet të zhvilluar dhe miqësor për biznesin, politikat e punësimit, përmirësimin e cilësisë së jetës, dëgjimin e zërit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje. Basha theksoi se punësimi është prioriteti numër një i tij dhe për këtë ka ndërmarrë një sërë hapash që nga lehtësirat e deri në heqjen e taksave për katër vjet për çdo kompani që do punësojnë mbi 40 persona. Ndërsa së shpejti do të hapet edhe zyra e punësimit, e cila do të mbledhë online të dhënat për punëkërkues dhe punëdhënës, ku ndihma e Uashingtonit, sipas Bashës, është e mirëpritur. Rreth 6 muaj më parë, Bashkia e Uashingtonit ka nisur zbatimin e programit “Një qytet, një punësim”, ku Bashkia është qendër informacioni. Janë rreth 445 kompani që janë përfshirë në këtë projekt dhe në një hark kohor katërmujor është arritur punësimi i 1000 qytetarëve. Kjo praktikë pritet të zbatohet edhe në Shqipëri. ”Ne gjithashtu ramë dakord që për një qytet të zhvilluar, siç është Uashingtoni, i cili është numri një në SHBA, ne duhet t’ia nisim nga Tirana e gjelbër, i cili është edhe prioriteti kryesor imi, ndërtimi i parqeve të cilat do të planifikohen në Planin e ri Urbanistik. Ashtu siç Kryetari i Bashkisë po bën këtu, edhe ne në Tiranë do të ndërtojmë linjën e tramit dhe jam i lumtur të ndaj me ju këtë eksperiencë shumë të vlefshëm për Tiranën. Diskutuam edhe për çështje të tjera dhe jam i kënaqur e mirënjohës që jam këtu sot për të marrë mbështetjen dhe për të nisur një bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Tiranës, si dhe të ftoj kryebashkiakun e Uashingtonit në Tiranë”, tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit mirëpriti kërkesën e zotit Basha për të ndarë këtë eksperiencë me Bashkinë e Tiranës dhe për të ndihmuar në ngritjen e zyrës së punësimit, përmes të cilës mundësohet lidhja mes biznesit dhe atyre që kërkojnë punë. ”Jam tepër i kënaqur që bashkë me kryebashkiakun Basha ndamë një numër çështjesh me interes të përbashkët për dy qytetet tona. Mendoj se do nisim të bashkëpunojmë në çështje që do t’i vendosim në vijimësi, por ne jemi të lumtur të ndajmë së bashku me ato që kemi për të ecur më përpara”, tha Grey. Nisur nga fakti se Uashingtoni është qyteti i parë në SHBA për zhvillimin e qëndrueshëm, në veçanti hapësirat e gjelbra dhe cilësia e ajrit, kryetari i Bashkisë së Tiranës gjeti mbështetjen e zotit Grey për projektet e “Tiranës së Gjelbër”. Kryetari i Bashkisë i premtoi zotit Basha se do t’i jepte kodin e gjelbër të ndërtesave. Gjithashtu, ai i premtoi zotit Basha se do t’i japë planin e zhvillimit të Uashingtonit, si një kontribut për hartimin e Planit Urbanistik të Tiranës dhe shtimin e hapësirave të gjelbra.

Pyetjet nga paneli
Nga paneli i të ftuarve iu drejtuan një sërë pyetjesh lidhur me mundësinë e zbatimit të programit të tij, mbështetjen për gratë kryefamiljare dhe personat në nevojë, mundësinë e zhvillimit të Tiranës dhe tërheqjen e investitorëve. Basha bëri të ditur se buxheti për këtë vit do të jetë buxheti më i lartë, pra buxheti me vlerën më të madhe, dhe kjo do të mundësohet duke ulur barrën fiskale, rritje të bazës së tatimpaguesve, reduktim të informalitetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se asete me vlera të larta do të vihen në përdorim, sikundër projekte strategjike të tilla, si: zgjerimi i bulevardit që ndërpritet nga lumi Lana, ndërtimi i dy linjave të tramit, ndërtimit të një terminali të ri, së bashku me stacionin e autobusëve urbanë, që do të marrin jetë shumë shpejt. Rëndësi e madhe sipas Bashës do t’i kushtohet transparencës dhe rritjes së kapitalit privat.

Deklarata: Referimi në qendrën e studimeve “John Hopkins”

Basha në SHBA: Hipotekimi i banesave përfundon brenda vitit
“Regjistrimi i banesave është një prej problemeve më të mprehta për Tiranën, kemi premtuar se brenda 2012 do të përfundojë hipotekimi dhe do ta mbajmë fjalën”. Kështu është shprehur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në prezantimin e tij gjatë qëndrimit në Uashington. Basha ishte ftuar në Qendrën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”. Arsyeja e përzgjedhjes së tij për të referuar në këtë qendër të rëndësishme, e cila renditet e gjashta ndër të gjitha universitetet në mbarë botën, ishte vizioni ndryshe për qeverisjen e Bashkisë së Tiranës.“ Ministria e Transportit dhe e Drejtësisë janë mbështetëse  të procesit të hipotekave dhe falë kësaj ne kemi arritur të avancojmë shumë mirë me një pjesë të pallateve me leje por të pahipotekuara. Me mbështetjen e tyre do të arrijmë ta finalizojmë këtë proces brenda një kohe të shkurtër, brenda vitit 2012”, tha Basha. Ai shtoi se ndihet i  privilegjuar që është në krye të Bashkisë së Tiranës dhe institucioni që drejton është tashmë jashtë konfliktit politik”. ”Kushdo që ka jetuar në këtë qytet dhe në një çast të caktuar ka ëndrrat e tij, se si do të ngjante ky qytet, ku edhe unë kam pasur dikur ëndrrat e mia. Një mendim i tillë filloi të rritej çdo ditë në mendjen time, ndërsa kisha shumë kujdes se çfarë nevojitej të bëhej me Tiranën. Dhe si mund ta bëjmë atë? Pasojat më të rënda nga situata politike dhe konflikti politik ishin në Tiranë. Kjo ishte mundësia më e madhe që t’ua kthenim Tiranën qytetarëve, që vendi të ecë përpara dhe t’i çojë qytetarët në vendin e parë të vendimmarrjes”, tha Basha. Sipas tij, problemet e qytetarëve dhe jo konflikti politik janë axhenda e Bashkisë së Tiranës. “Njerëzit janë më entuziastë dhe kanë filluar të besojnë në këtë gjë. Madje buxheti 2012 është diskutuar me ta dhe po kështu do të bëhet edhe për planin urbanistik”, tha Basha.

Hipotekat
Bashkia e Tiranës ka gati certifikatat e pronësisë për 1385 apartamente. Bëhet fjalë për 36 dosje të plota objektesh që do të pajisen me lejet e përdorimit. Janë ndarë lejet e përdorimit për 11 pallate me rreth 385 apartamente. Dokumentacioni është gati edhe për 1000 apartamente të tjera.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura