
Në vijim të vizitës së tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, takoi Emirin e shtetit të Katarit, Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani. Ai u interesua për ecurinë e projekteve të reja strategjike, të lançuara nga Basha, siç janë zgjatimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe interesin e madh që studiot e famshme arkitekturore kanë shprehur për hartimin e projektit të tij. Basha theksoi se më 9 mars, 7 arkitektë të njohur do të paraqesin projektet e tyre para një jurie ndërkombëtare për bulevardin e ri të Tiranës. Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, e gjithashtu projekte të tjera si ndërtimi i dy linjave të tramit, ndërtimi i terminalit të ri. Emiri i Katarit ka dhënë mbështetjen e tij edhe agjencive të investimeve të Katarit, për zhvillimin e projekteve publike të Bashkisë së Tiranës. Gjatë takimit, Emiri i Katarit e ka siguruar zotin Basha se do të angazhojë të gjitha strukturat e specializuara të shtetit të Katarit, për të nxitur dhe inkurajuar kompanitë e njohura të Katarit të investojnë në Tiranë dhe Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Katar, zoti Basha zhvilloi takime dhe me autoritetete të tjera të larta në këtë vend.











