Basha, takime me dhjetëra qytetarë

Aug 6, 2011 | 12:25

Gjate takimit me qytetaret

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi dje takimin e parë me qytetarët e kryeqytetit në zyrën e tij për të dëgjuar hallet e tyre.

Për më shumë se 2 orë, nga ora 9 e mëngjesit e deri në orën 11, i shoqëruar nga një staf i punonjësve të Bashkisë, Basha priti në zyrën e tij dhjetëra qytetarë, ndërkohë që qindra të tjerë prisnin në dyert e Bashkisë për t’u takuar drejtpërdrejt me të. Kreu i Bashkisë, duke parë fluksin e njerëzve, njoftoi se pritje do të zhvillohet edhe ditën e sotme, ndonëse është e shtunë, nga ora 10 e paradites e deri në orën 12.00. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës bëri me dije edhe procedurën e takimit me qytetarët çdo të premte. “Takimet e kryetarit të Bashkisë me qytetarët do të vazhdojnë sipas një kalendari të rregullt dhe një procedure të caktuar. Çdo qytetar i interesuar duhet të plotësojë një formular pranë Zyrës së Informimit qytetar në Bashki, në bazë të të cilit caktohet edhe data e takimit me kryetarin e Bashkisë. Nisur nga numri i madh i kërkesave, kryetari i Bashkisë ka vendosur të shtojë edhe ditë të tjera takimi. Kështu, z.Basha do të presë edhe nesër qytetarët, nga ora 10.00-12.00 në zyrën e tij, po ashtu edhe të mërkurën e javës së ardhshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë. Më tej, stafi i Bashkisë bëri me dije se shqetësimet që kanë qytetarët e Tiranës kanë të bëjnë më së shumti me punësimin, të drejtën e pronës dhe strehimin. Pas parashtrimit të shqetësimeve tek kryetari i Bashkisë, punonjësit e Bashkisë plotësuan një formular me të dhënat dhe kërkesat e shtruara nga qytetarët. Ky dokumentacion shërben për ndjekjen e problematikës që ata kanë dhe kontaktimin e tyre të mëtejshëm.

PRITJA E QYTETARËVE

Të renditur sipas një liste emërore, disa dhjetëra qytetarë patën mundësi të bisedonin në disa minuta për problemet e tyre drejtpërdrejt me kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, që ishte i shoqëruar nga specialistë të fushave të ndryshme, pjesë e administratës së Bashkisë. E para qytetare që hyri në zyrën e Bashkisë ishte Marsela Reka, e cila kërkoi zgjidhje për strehimin. Ajo i tha kreut të Bashkisë se është kryefamiljare me katër fëmijë dhe e pastrehë, ndonëse ka aplikuar prej vitesh në Bashki për shtëpi. Kreu i Bashkisë premtoi se problemi i strehimit do të shihet me prioritet, ndërsa shtoi se familjet në nevojë dhe të pastreha do të marrin bonusin e Bashkisë për të pastrehët. Në takim me kryetarin erdhën edhe kryefamiljarë në nevojë e të papunë, qytetarë që kanë probleme me pronat e tyre, si dhe të papunë që kërkuan zgjidhje nga kryetari i ri i Bashkisë. Në radhë nuk mungonin të rinjtë, mes tyre, Elton Prifti, një i sapodiplomuar, i cili kërkoi informacion për mundësitë e Bashkisë në punësimin e qytetarëve

 

© Panorama.al

Te lidhura