
“Studioja fituese e projektit do të shpallet javën e ardhshme”. Këtë deklaratë bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës gjatë pritjes së një delegacioni nga Katari, për të vlerësuar këtë projekt. Kjo vizitë vjen pas mbështetjes që Emiri i Katarit i dha zotit Basha në muajin shkurt për projektin e bulevardit. Gjatë takimit kryebashkiaku theksoi se menjëherë pas shpalljes së fituesit, do të nisë puna për projektin e detajuar, i cili duhet të finalizohet brenda një viti. Ndërkohë, do të nisë puna për përgatitjet në terren, me zhvendosjen e Stacionit të Trenit dhe shtyllat e tensionit të lartë. Basha e informoi delegacionin e Katarit mbi konkursin e zhvilluar për këtë projekt, ku morën pjesë 7 ndër 20 studiot më të mira të arkitekturës në botë. Zoti Basha bëri të ditur se vlerësimi për projektet u bë nga arkitektë dhe urbanistë të njohur në mbarë botën. Projekti, përveç bulevardit me gjatësi 1.8 km, përmban edhe hapësira urbane të gjelbra, mundësi për investime private në të dyja anët e bulevardit, ndërtimin e disa institucioneve publike dhe, mbi të gjitha, do të mundësojë hapjen e mijëra vendeve të reja pune. Faza e parë e këtij projekti është përllogaritur të kushtojë 36 milionë euro. Pas 100 biznesmenëve kinezë, vizita e këtij delegacioni është një tjetër dëshmi e besimit dhe interesit që Tirana me projektet e saj ngjall tek investitorët e huaj dhe garanci për të hapur në një kohë të shkurtër perspektivën e zhvillimit dhe mundësi të mëdha punësimi në qytetin tonë.











