
Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranë, Lulzim Basha, nisi detyrën me një mesazh për qytetarët e Tiranës.Në fillim të fjalës së tij përpara qindra qytetarëve të Tiranës të mbledhura në selinë e PD-së, Basha u shpreh se gëzimi i tyre është i ligjshëm, pasi vjen nga një fitore e ndershme dhe e ligjshme. “Është një gëzim i ligjshëm, sepse kemi korrur një fitore të ligjshme, një fitore të ndershme, një fitore që është shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve të Tiranës, që besuan në shumicë, në programin tonë, në projektin tonë për një Tiranë europiane e mbi të gjitha në seriozitetin tonë, për ta vënë në jetë këtë sipërmarrje të madhe që Tirana jonë e dashur ka kohë që e meriton dhe ka kohë që e pret!”, tha Basha. Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës u shpreh më tej se ai do të punojë të mbajë premtimet e tij për të gjithë qytetarët e Tiranës. “Unë do të angazhohem me mish e me shpirt për t’i mbajtur premtimet e mia dhe do të bëj gjithçka mundem për ta bërë qytetin tonë më të mirë, jo vetëm për mbështetësit e mi, po për të gjithë bashkëqytetarët e mi. Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës, por ai po vjen. Pavarësisht nëse keni votuar për mua apo jo, tani është koha të bashkohemi. Unë ftoj sot të gjithë qytetarët e Tiranës të bashkohemi për të punuar për të ardhmen e qytetit tonë. Të gjithë na bashkon interesi për të ardhmen tonë. Nëse luftojmë me njëri-tjetrin ne do të mbetemi në vend, po nëse punojmë së bashku, mundësitë e asaj që mund të arrijmë së bashku nuk do të njohin kufi. Ejani pra dhe bashkohuni me mua në betejën për të ndërtuar një qytet më të mirë, bashkohuni me mua për t’i kthyer shpresat dhe dëshirat tona në realitet. Tani puna fillon. “Ju jeni të parët. Tirana është e para” nuk është më vetëm një slogan dhe e ardhmja e qytetit tonë ka nisur marshin e saj”, tha ai. Basha dha edhe falënderimet e tij duke nisur me kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, Drejtësinë, por edhe stafin dhe familjen e tij. “Dua sot të falënderoj edhe njëherë kryetarin e Partisë Demokratike, kryeministrin Sali Berisha, për mbështetjen e tij, të gjithë Partinë Demokratike, anëtarët e Parlamentit, drejtuesit e Partisë dhe të gjithë anëtarët e saj. Dua të falënderoj po kështu edhe partnerët e koalicionit për mbështetjen e tyre; në këtë përpjekje të përbashkët nuk mund të gjeja miq më të mirë. Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë komisionerët, numëruesit, vëzhguesit e Partisë Demokratike, të Aleancës për Qytetarin, por edhe të gjitha partive të tjera si dhe të gjithë ata që me kontributin e tyre ndihmuan për ta bërë këtë proces zgjedhor të ndershëm, të lirë, të saktë, transparent dhe të tillë me të cilin mund të krenohet Tirana. Dua të falënderoj Drejtësinë shqiptare që u dha shqiptarëve dhe tiranasve një drejtësi të drejtë. Dua të falënderoj gjithë stafin e fushatës time, të gjithë bashkëpunëtorët e mi për përkushtimin e tyre frymëzues, punën e pareshtur dhe përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme. Dua të falënderoj Aurelën dhe Dafinën dhe të gjithë familjen time, për mbështetjen dhe kujdesin e tyre gjatë gjithë kësaj fushate”, shtoi Basha. Kryetari i Bashkisë u shpreh më tej se Tirana do të ketë tashmë vëmendjen e duhur. “Si kryebashkiaku juaj i ardhshëm, do ta filloj me pasion punën dhe do të vazhdoj t’ju dëgjoj. Qytetarët kanë pasur pushtet si asnjëherë më parë gjatë kësaj fushate dhe do vazhdojnë ta kenë atë edhe në Bashkinë e Tiranës. Zëri i çdo qytetari u dëgjua në procesin zgjedhor dhe zëri i çdo qytetari do të dëgjohet edhe në Bashki. Tirana na frymëzoi të gjithëve, me bukurinë që ndryn në thellësi të vet dhe me këtë frymëzim, në këtë gëzim të brendshëm që na komunikon kryeqyteti ynë, ne ia mbërritëm të krijojmë një sinergji, një rezonancë të së mirës dhe tiranasit na besuan Ndryshimin! Ndryshimin e vërtetë europian që ky qytet krenar ka sot më shumë nevojë se kurrë! Por, Tirana, qyteti ynë i dashur, kërkon angazhimin e një sipërmarrjeje zemrash, mendjesh të përkushtuara, vullnetesh të hekurta dhe ka nevojë për vizion të sprovuar. Ndaj, sot dua të falënderoj qytetarët e Tiranës që gjetën kohë për të ndarë me mua problemet e tyre, por edhe shpresën, besimin dhe projektet për zgjidhjen e këtyre problemeve si dhe t’i falënderoj për durimin, kulturën dhe qytetarinë me të cilën pritën përfundimin e këtij procesi zgjedhor”, tha Basha në fjalimin e tij përpara qindra qytetarëve të Tiranës.
Militantët, festë në selinë e PD për fitoren
Qindra qytetarë të Tiranës u mblodhën para selisë së Partisë Demokratike duke festuar fitoren e Bashkisë së Tiranës pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Nën flamuj të shumtë, kolonën zanore të fushatës së kandidatit Basha, qindra mbështetësit e PD-së ndoqën edhe një festë me fishekzjarrë. Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës u përshëndet me qytetarët e mbledhur për të dëgjuar mesazhin e tij. Basha nuk është larguar për një kohë të gjatë nga selia, ndërkohë që shumë qytetarë të tjerë nuk u larguan duke kërkuar sërish të përshëndeten më të. Në fakt, festa e mbështetësve të PD-së filloi që gjatë paradites, kur u mor vesh vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Më pas, të rinjtë e kësaj partie nisën lajmërimet në rrjetin social në “Facebook”, për t’u mbledhur para selisë së PD-së që në orën 19:00, për të pritur fituesin e Bashkisë së Tiranës. Nën një atmosferë të ndezur, ku nuk munguan përshëndetjet e shumta, Basha dha përshëndetjen e tij për të gjithë qytetarët e kryeqytetit duke i falënderuar ata në veçanti për mbështetjen e duke u zotuar se premtimet do të realizohen.
“Facebook”
Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka vijuar komunikimin me publikun nëpërmjet faqes së tij zyrtare në internet, në rrjetin social “Facebook”. Basha lajmëroi konferencën e tij për shtyp në orën 20:30, si dhe më herët u hodh një shënim ku lajmërohej vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste. Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës ka premtuar vijimin e komunikimit me qytetarët përmes internetit, kur tashmë anëtarët në këtë faqen kanë arritur në 310 mijë qytetarë shqiptarë.
KE: Duam të shohim dialog politik
Komisioni Europian reagoi dje nëpërmjet zëdhënëses së komisioneres Ashton duke thënë se pret zbardhjen e argumentimit të Kolegjit Zgjedhor për të mbajtur një qëndrim zyrtar. Sipas zëdhënëses Maja Koçijançiç, BE pret tashmë nisjen e dialogut politik mes partive për të realizuar reformat për statusin politik. “Ne po e ndjekim situatën në Shqipëri, që nga zgjedhjet e 8 majit, me shumë interes dhe pritshmëri. Ne u njohëm gjithashtu edhe me vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe presim të kemi më shumë shpjegime rreth këtij vendimi. Ne jemi njohur vetëm me vendimin. Pasi të kemi më tepër argumentime rreth tij, edhe ne do të mund të jemi të qartë. E përsëris edhe njëherë, ne duhet të njohim më shumë detaje dhe pas tyre ne mund të themi më shumë rreth këtij vendimi. Ju e dini se çfarë presim ne nga Shqipëria. Së pari, rifillimi i një dialogu politik, vazhdimi i reformave dhe i progresit drejt BE-së. Lidhur me vendimin, para se të marrim një pozicion të qartë, ne duhet të njohim të gjitha detajet e nevojshme”, tha zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç. Përmbushja e standardeve në këto zgjedhje përben një nga 12 kriteret e vendosura nga Komisioni Europian për Shqipërinë.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











