Në Gjykatën e Faktit në Tiranë do të zhvillohet sot seanca gjyqësore për vërtetimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha. Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe pritet zgjasë pak minuta. Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, kryetari i bashkisë duhet ta marrë mandatin në gjykatë përpara se të nisë punën zyrtarisht. “Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga gjykata, në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”, thuhet në pikën e parë të nenit 40 të këtij ligji. Gjyqtare e çështjes do të jetë Elbana Lluri. Në të njëjtën orë, në Gjykatën e Apelit, do të mblidhet Kolegji Zgjedhor, i cili do të shqyrtojë padinë e Partisë Demokratike për ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Relatore e çështjes do të jetë Meriban Mullaj. Pas nxjerrjes së këtyre dy vendimeve, gjatë javës së ardhshme mund të mblidhet Këshilli Bashkiak, ku Basha do të bëjë betimin për të nisur punën për një mandat katërvjeçar.











