Këshilli Bashkiak i Tiranës, i dalë nga zgjedhjet e tetë majit, do të zhvillojë sot mbledhjen e parë ku do të betohet edhe kryetari i ri i Bashkisë, Lulzim Basha.
Mbledhja e thirrur nga sekretari i Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjoni, do të nisë në orën 10:00. Megjithëse e para që nga zgjedhjet lokale, ajo nuk do të jetë vetëm një ceremoni ku do të betohen këshilltarët e rinj dhe kryetari
i Bashkisë, por do të ketë edhe disa votime. Sipas Ligjit për pushtetin lokal, mbledhjen e parë do ta drejtojë këshilltari më i vjetër dhe që këtë herë i
ka takuar përfaqësuesit të Partisë Republikane, Maks Begeja. Në Këshill koalicioni i djathtë ka 28 anëtarë, ndërsa koalicioni i majtë, 27 anëtarë.
RENDI I DITËS
Mbledhja do të nisë me konstituimin e Këshillit dhe nëse rezulton se në sallë janë 28 anëtarë, ai quhet i konstituuar e më pas vazhdohet me rendin e ditës. Veprimi i parë është ngritja e Komisionit të Verifikimit të Mandateve, i
cili kontrollon përputhshmërinë e detyrës për secilin prej 55 anëtarëve. Në fund Komisioni del me një raport, i cili edhe duke iu referuar traditës, votohet unanimisht. Pas votimit të raportit, këshilltarët bëjnë betimin dhe
nga ky moment nis mandati i tyre katërvjeçar. Rendi i ditës më pas vazhdon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Këshillit Bashkiak. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kandidati i koalicionit “Aleanca
për qytetarin” do të jetë Njazi Kosovrasti. Në këtë mbledhje do të paraqesë kandidatin e saj edhe “Aleanca për të ardhmen”. Kryesuesja e listës së këtij koalicioni, Mimoza Hafizi, do të futet në garë me Kosovrastin në një votim, i cili sipas ligjit do të bëhet i fshehtë. Pas votimit për kryetarin e Këshillit, votohet për nënkryetarin, ku secili nga koalicionet pritet të paraqesë kandidatin e tij. Votimi i tretë ka të bëjë me përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak
të Tiranës në Këshillin e Qarkut. Sipas Ligjit për pushtetin vendor, të dyja koalicionet do të propozojnë nga 15 kandidatë dhe fleta e votimit do të përfshijë listën me 30 kandidatë. Pas votimit, kandidat fitues do të jetë secili
nga këshilltarët që ka marrë 28 vota ose më shumë. Pika e fundit e rendit të ditës është betimi i kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se ende nuk është marrë një vendim nëse këshilltarët e majtë do të jenë të pranishëm gjatë betimit. Sot në orën 09:00, do të ketë një mbledhje të këshilltarëve të majtë, ku do të përcaktohet edhe qëndrimi për mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak.
Rama, orët e fundit si kryebashkiak
Paraditja e sotme do të shënojë edhe orët e fundit të Ramës në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në nenin 40, pika 4 e Ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, thuhet se mandati mbaron ditën kur pasardhësi bën betimin. “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin
kryetari pasardhës”, thuhet në ligj. Orët e paradites, deri në momentin kur
Basha do të bëjë betimin si kryebashkiak i ri, do të jenë të fundit për Ramën pas 11 vjetësh në atë zyrë. Për herë të parë Rama shkeli në Bashkinë e Tiranës në tetor të vitit 2000, kur mundi rivalin e PD-së, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Francë, Besnik Mustafaj. Në vitin 2003, Rama mori mandatin
e dytë kur mundi aleatin e sotëm të tij, Spartak Ngjela, ndërsa mandatin e
tretë e mori më 18 shkurt 2007, kur fitoi ndaj ish-ministrit të Brendshëm të PDsë, Sokol Olldashi. ADI SHKEMBI
Aleanca për Qytetarin
28 këshilltarë
PD
Jorida Tabaku
Ferdinant Poni
Suzana Guxholli
Gëzim Karapici
Niazi Kosovrasti
Dhori Kule
Jul Bushati
Eneida Guria
Beqir Nuredini
Besnik Aliaj
Jera Kruja
Zamir Ndroqi
Akli Fundo
Sulejman Mema
Enkelejda Sallaku
Bledi Kasmi
Murat Basha
Ariana Bekteshi
Vejsel Rizvanolli
LSI
Shezai Rrokaj
Edmond Panariti
Iris Zaimi
Endrit Brahimllari
Viron Bezhani
PDIU
Tahir Muhedini
Arian Çuko
PR
Maksim Begeja
PLL
Agim Kraja
Aleanca për të Ardhmen
27 këshilltarë
PS
Mimoza Hafizi
Tritan Kalo
Kristaq Blushi
Ardiana Berberi
Ervin Bushati
Lorenc Vangjeli
Arbian Mazniku
Aldrin Dalipi
Gerta Lubonja
Shpëtim Cami
Fatbardha Barjaba
Genti Gazheli
Juliana Hoxha
Mehmet Hasanlami
Alketa Hila
Valbona Tahiraja (Doçi)
Petrit Ago
Hari Mulla
Eridian Salianji
Andrea Marto
Megi Ajtyresa
Ylli Çano
Vjola Sterjo
Xhevdet Kaçani
Suzana Hakrama
PDS
Florian Pullazi
PSV ’91
Enver Reçi











