Basha shtron iftar pas operacionit në shpatull

Aug 30, 2011 | 10:10
Basha dje gjatë iftarit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shtroi mbrë-më një iftar për besimtarët myslimanë të kryeqytetit.Në një nga lokalet e njohura në periferi të Tiranës, kreu i Bashkisë së Tiranës kishte ftuar krerët e komuniteteve fetare në vend, si kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, kryetarin e Komunitetit Bektashian, Kryegjysh Haxhi Baba Edmond Brahimaj, argjipeshkvin e Durrësit dhe Tiranës, Monsinjor Rrok Mirdita, përfaqësues nga Kisha Ortodokse, ambasadorin e SHBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, përfaqësues të Trupit Diplomatik, besimtarë të shumtë myslimanë, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe përfaqësues nga maxhoranca dhe opozita. “Më lejoni t’i uroj besimtarët dhe familjarët e tyre për sakrificat e këtij muaji të shenjtë që përmbyllet sot. Gjithëpërfshirja është një vlerë e cila kultivohet veçanërisht gjatë këtij muaji. Dashamirësia, respekti për njerëzit pa dallim krahine, përkatësie fetare, pikëpamjesh, statusi social apo ekonomik, kultivohet me kujdes e durim dhe përcillet te brezat e ardhshëm”, u shpreh Basha. Gjatë iftarit të djeshëm u vu re nga të gjithë krahu i fashuar i kreut të Bashkisë. Mësohet se Basha ka kryer një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në shpatullën e djathtë dhe se mjekët i kanë rekomanduar atij se duhet ta mbajë të lidhur krahun edhe për disa ditë. Kreu i Bashkisë do ta mbajë fashon për ta ruajtur të palëvizur krahun, sipas porosive të mjekëve, deri në rehabilitimin e plotë, që do të duhen edhe disa ditë. Mësohet se atij i është rekomanduar që të pushojë gjatë kësaj kohe, por Basha ka preferuar të vijojë punën e tij. Ky problem shihet zakonisht te volejbollistët, një sport që Basha e ka ushtruar aktivisht në kohën e studimeve të tij. Ndërhyrja e lehtë kirurgjikale mësohet se është kthyer në Holandë gjatë një fundjave. Kreu i Bashkisë së Tiranës, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, premtoi se do të nisë sa më parë punën për ngritjen e xhamisë së re të Tiranës. “Nesër është Bajram, mishërimi i kurorëzimit me sukses të këtij muaji të rëndësishëm, i shpërblimit të sakrificës dhe i fillimit të ri. Mijëra besimtarë myslimanë do t’i drejtohen nesër Zotit në faljen tradicionale të mëngjesit. Për fat të keq, edhe këtë vit, si shumë të tjerë, ky do të jetë një ushtrim kompleks pasi Tiranës ende i mungon Xhamia e Madhe. Por unë dua të shpreh sot para jush përkushtimin tim dhe të Bashkisë së Tiranës që në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman dhe xhamatin e Tiranës, të përgatisim projektin dhe të nisim pa vonesë punën për ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm besimi në qytetin tonë”, u shpreh Basha.

Mesazhi i Presidentit Topi
Nëpërmjet një mesazhi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i uroi besimtarëve myslimanë shqiptarë festën e shenjtë të Fiter Bajramit. “Në këto momente të gëzueshme e të lumtura për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ndodhen, shpreh urimet e mia më të ngrohta e të përzemërta për ju dhe familjet tuaja, që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë në harmoni, paqe e mirëkuptim me njëri-tjetrin, plot shëndet e mbarësi për të gjithë të afërmit e të dashurit tuaj”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Selim Muça uron myslimanët
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, përshëndeti dje besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit. “I lutem Zotit që kjo festë të sjellë te ju gëzim, hare dhe harmoni. Le të shërbejë festa e Fiter Bajramit si një pretekst për t’u gëzuar të gjithë dhe si një pretekst për t’u bashkuar më shumë, për të kërkuar falje njëri nga tjetri, për ta shtuar dashurinë, miqësinë dhe harmoninë mes nesh. Kjo festë është e gëzueshme për të gjithë popullatën”, tha Haxhi Selim Muça.

© Panorama.al

Te lidhura