Basha: Rama, presion Drejtësisë

Jun 9, 2011 | 10:34

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, e vlerësoi si presion ndaj Drejtësisë letrën e rivalit të tij Edi Rama drejtuar Kolegjit Zgjedhor.”Rivali im ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ai ka zgjedhur të ndërmarrë një hap të paprecedentë, duke kërcënuar dhe duke i bërë presion Kolegjit Elektoral me anë të një letre publike dhe sot para ekranit. Është e papranueshme për cilëndo palë që të bëjë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. Presioni ndaj Kolegjit Zgjedhor është një presion i mirëfilltë ndaj Drejtësisë. Të gjithë ne e dimë që vetëm një palë e ka bërë këtë, dhe motivet e z. Rama për këtë flasin vetë”, tha Basha dje në konferencë për shtyp. Sipas tij, ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për respekt të shtetit ligjor dhe të pranohen rezultatet. “Bashkësia ndërkombëtare ka qenë gjithashtu e qartë kur deklaron se dhuna dhe kërcënimet për dhunë nuk kanë vend në këtë proces. Askush nga Bashkësia Ndërkombëtare nuk i ka vënë në dyshim vendimet e Kolegjit Zgjedhor. I vetmi që e bën këtë është z. Rama”, shtoi ai. Basha tha më tej se politika duhet t’u largohet këtyre betejave. “Duhet ta kemi të qartë se çfarë vihet në pyetje këtu. A do të bëhemi një vend modern europian, i cili i merr vendimet bazuar në shtetin ligjor, apo do të jemi një vend që merr vendime bazuar në kërcënimet për dhunë? A do të kemi një qytet që vazhdon të konsumohet nga betejat e lodhshme politike, apo do të dëgjojmë zërin e qytetarëve? T’u themi mjaft më betejave politike. Është koha për zgjidhje”, shtoi Basha. Ai tha më tej se barbari do të ishte nëse votat nuk do të numëroheshin, dhe kjo ka të bëjë me themelin e demokracisë. “Barbari është mosnumërimi i çdo vote. Çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari është dëgjuar. Nuk ka drejtësi më të madhe në një demokraci, sesa kjo. Dhe ky është interesi më i mirë i vendit”, tha Basha në konferencën për shtyp.

Reagimi

Partia Socialiste, në një reagim vetëm pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor, akuzoi qeverinë dhe KQZ-në nëpërmjet deputetit të saj Eduard Shalsi. “Banda e Saliut në KQZ nuk mund të flasë me zërin e qytetarëve. Qytetarët folën, votat e tyre u numëruan, ndërsa votat që nxori nga xhepi KQZ-ja e Saliut për të grabitur fitoren nuk është zëri i qytetarëve, por i Saliut. Mjaft më me këtë lojë të shëmtuar. Luli le t’i marrë ato vota mbrapsht dhe le
t’ia kthejë babait të tij politik”, tha Shalsi.

KQZ ndan mandatet e këshillave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje ndarjen e Këshillave Bashkiakë për disa qarqe të vendin. Konkretisht, dje KQZ miratoi ndarjen e mandateve për njësinë e parë bashkiake në Tiranë, Njësinë Nr. 10, ku koalicioni i djathtë mori 10 mandate, ndërsa ai i majtë vetëm 9 mandate. Njëkohësisht, KQZ ndau mandatet në Këshillat Bashkiakë edhe në mjaft zona të tjera. Dje u ndanë mandatet në Bashkinë e Fushë-Krujës dhe Shijakut. Në të dyja këto bashki fituan kandidatët e Partisë Socialiste që do të udhëheqin Bashkinë për katër vitet në vijim. Por, fituesit e tyre do të drejtojnë Bashkinë me një këshill në shumicë të koalicionit të djathtë, i cili ka fituar shumicën e këshilltarëve. Në ditët në vijim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me ndarjen e mandateve të tjera për Këshillat Bashkiakë.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura