Basha: Projekti i sheshit “Skënderbej” do të rishikohet

Aug 5, 2011 | 10:51

Në një intervistë për “ABC News”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, flet për sfidat e para të punës së tij kur kanë kaluar vetëm 10 ditë nga marrja e detyrës. Kryebashkiaku tregon për grupet e punës, projektin për sheshin “Skënderbej”, trafikun, si dhe për arkën bosh të Bashkisë së Tiranës.

Sapo keni vënë këmbën në Bashkinë e Tiranës duket se puna ka nisur, zoti Basha, madje një punë që duket se ka nisur në shumë drejtime njëherazi. Që në ditët e para keni shpallur programin e 100-ditëshit të parë, i cili konsiderohet dhe themeli i një programi katërvjeçar. Cilat janë pikat që mendoni se vërtet do të realizohen brenda 100 ditëve?

Së pari është përshtatja e strukturës së Bashkisë, për t’u angazhuar seriozisht dhe me potencial të plotë në ato çështje që ne kemi deklaruar parësore: punësimi, zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja, thjeshtimi i procedurave të Bashkisë në kontakt me qytetarët, por edhe në kontakt me biznesin. Përgatitja e punës për hartimin e planit urbanistik të Tiranës, një plan të munguar për një kohë të gjatë, ngritja e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe po kështu adresimi i disa problemeve të mëdha që qytetarët e Tiranës i kanë vuajtur me të padrejtë për një kohë të gjatë, siç është çështja e hipotekimit të banesave, por edhe premtime të tjera, siç është çështja e kartës së studentit, çështje që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Bashkisë karshi qytetarëve, ujësjellës-kanalizimin, infrastruktura parësore, probleme akute, siç janë trafiku dhe pasojat e tij te qytetarët dhe ambienti. Këto janë disa nga çështjet kryesore me të cilat ne po avancojmë në mënyrë të përditshme tashmë, me të cilat janë ngritur grupet e punës, ndonëse është gusht.

Zoti Basha, ai që konsiderohej handikapi më i madh i qeverisjes së kryeqytetit ka qenë mungesa e një plani urbanistik, të cilin ju e keni premtuar, mos gabohem, edhe me një përfaqësi japoneze, ku keni pasur një takim pikërisht për planin urbanistik. Kur thuhet plan urbanistik duket një projekt i vetëm, por përmban shumë projekte të tjera në vetvete, sepse ka një sërë projektesh që përmblidhen pikërisht brenda tij. Në mënyrën se si është trajtuar deri tani hapësira e kryeqytetit shqiptar, sa e lehtë është brenda këtij plani urbanistik të realizoni synimet tuaja me atë që keni premtuar?

Plani urbanistik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një zhvillim afatgjatë, për një zhvillim modern dhe me standarde europiane të qytetit, ku ka vend për interesat e të gjithë qytetarëve, ku zhvillimi nuk bëhet në funksion të grupeve të veçanta të interesit, apo për zgjedhjet e ardhshme, por bëhet për të gjithë qytetarët dhe për brezat e ardhshëm. Për këtë arsye është vendimi im që puna për planin urbanistik të nisë menjëherë. Për këtë qëllim po bëhet evidentimi i situatës aktuale, i partnerëve të përfshirë apo që do të përfshihen në këtë proces. I kapaciteteve që do të përfshihen nga ana e qytetit, duke përfshirë këtu edhe universitetet kryesore, ku urbanistika është një disiplinë akademike dhe besoj se jo më vonë se 15 shtatori ne do të dalim me një plan të qartë pune, i cili do të ketë synim kryesor përfundimin brenda 12 muajve të një plani urbanistik të plotë për të gjithë qytetin e Tiranës. Të një plani urbanistik, i cili do të ngërthejë të gjitha interesat e qytetarëve, po do të ketë dy parime kryesore në thelb, vlerësimin e drejtë të pronës private të qytetarëve të Tiranës dhe fitimin sa më të  madh të hapësirave publike, për sheshe lojërash për fëmijë, për parqe të gjelbra, për shkolla, kopshte, çerdhe, për institucione kulturore apo sportive, por edhe për rrugë më të gjera të standardeve europiane, me trotuare dhe ndriçim, pse jo, edhe me korsi për biçikleta.

Do të punohet paralelisht për ato që quhen projekte të mëdha, zoti Basha, sipas një lloji renditjeje? Kur flas për projektet e mëdha, flas për tramvajin e premtuar për t’u realizuar për një kohë shumë të shkurtër për çlirimin e trafikut në kryeqytetin shqiptar dhe një sërë çështjes të tjera të këtij karakteri.

Plan-veprimi do të përcaktojë qartë të gjitha etapat, pra ne nuk do të mbetemi në pritje të përfundimit të studimit apo planit të plotë urbanistik, por do të përparojmë me disa projekte që janë në përputhje të plotë me planin afatgjatë të zhvillimit të Tiranës. Këtu, pa dyshim, hynë përgatitjet për tramvajin, këtu hynë disa ndërhyrje urbane, duke përfshirë këtu edhe zgjatimin e bulevardit në drejtim të lumit të Lanës dhe krijimin e një korridori verior të qytetit me potenciale të mëdha për zhvillim privat dhe publik. Natyrisht, edhe zhvillime të tjera, të cilat duke u konstatuar në përputhje me objektivat afatgjatë të zhvillimit, nuk kanë pse të mbesin në sirtar, por do të nisin menjëherë ekzekutimin.

A ka projekte të lëna pezull ose përgjysmë nga paraardhësi juaj, zoti Basha, dhe çfarë ndodh me to?

Natyrisht që po, disa prej tyre mendoj se janë para syve tanë, siç është situata në sheshin “Skënderbej”. Unë e di që qytetarët përballen me këtë vështirësi prej kohësh. Problemi është që me marrjen e detyrës së kryetarit të Bashkisë dhe me prezantimin e situatës me këtë projekt, vura re se projekti aktual nuk i jep një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së trafikut, pra nuk ka asnjë nënkalim apo by pass që do të çlironte situatën e trafikut, siç është sot. Ky është një problem i madh, pasi do të thotë se edhe pasi projekti të përfundonte, situata e trafikut nuk do të përmirësohej dhe e kuptoj që ky do të ishte një problem i madh për qytetarët e Tiranës. Në këtë kuadër duhen marrë disa vendime të shpejta. Po ta shikojmë situatën kështu siç është, vendimi i parë që duhet marrë është ai i çlirimit përkohësisht të trafikut. Natyrisht, ne nuk mund ta kthejmë sheshin në gjendjen e mëparshme, por çlirimi i përkohshëm i trafikut është një urgjencë me të cilën po merret Bashkia dhe ekipi im. Paralelisht me këtë do të ecet me një studim që do të rishikojë mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së trafikut në sheshin “Skënderbej”, qoftë kjo me ndërtimin e një nënkalimi me by pass, me parkime nëntokësore. E rëndësishme është që zgjidhja të jetë afatgjatë, të jetë një zgjidhje e cila respekton në mënyrë të plotë nevojat e qytetarëve sot, por që i qëndron jo vetëm 5 viteve të ardhshme që të fillojë prapë puna për ta gërmuar, por një zgjidhje që i qëndron 50 apo 100 viteve të ardhshme.

Flasim për përmirësimin e projektit aktual, apo devijohet nga ky projekt dhe a ka vështirësi ligjore në këtë drejtim?

Unë nuk mund të shprehem për këtë çështje. Ajo që mund të them është që do të veproj me dinamizëm për të përmirësuar trafikun në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë që inxhinierët, arkitektët që aktualisht janë të angazhuar me këtë projekt, po e rishikojnë edhe njëherë projektin për të bërë të mundur që në përfundim të tij të mos jemi në të njëjtën situatë siç jemi sot. Ky është rreziku që ekziston, por jemi në një situatë që trafiku të jetë i normalizuar edhe kur kryeqyteti të ketë shumë më shumë automjete.

Keni pezulluar lejet e ndërtimit për një kohë. Është një lloj moratoriumi, apo jo? Sa mendohet të zgjasë në kohë dhe pse është marrë si masë?

Siç folëm pak më parë për planin urbanistik, qëllimi i tij është të ketë ndershmëri në mënyrën e zhvillimit të qytetit, ndershmëri karshi pronës private, por edhe karshi brezave të ardhshëm përsa i përket hapësirës publike të qytetit. Qëllimi është që plani të përfundojë sa më parë, është një plan i munguar, i premtuar, i parealizuar. Është një plan që Tiranës i ka munguar, problemet e të cilit Tirana i vuan edhe sot. Brenda këtij viti do të ketë, ashtu siç kam premtuar, një moratorium për ndërtimet dhe ndryshimin e destinacionit, sepse është në interes të çdo qytetari, në interes të qytetit, që ne të kemi qartësi të plotë për trajtimin e pronës private me ndershmëri.

Folët për projekte, por financat si janë në Bashkinë e kryeqytetit?

Të them të drejtën, financat nuk janë në gjendje të mirë, siç është e bërë e ditur edhe sot nëpërmjet disa mediave. Gjendja financiare është shumë e dobët, kemi një shumë prej afro 1.5 milionë dollarësh në kontot tona, shumë e pamjaftueshme kjo edhe për të paguar pagat e personelit të Bashkisë për muajin gusht; kjo pasi kemi pasur një rënie drastike nga Bashkia të mbledhjes së të ardhurave, veçanërisht përgjatë 2 muajve të fundit, ku ka arritur në nivelin 5-7% krahasuar me 32% që ka qenë mesatarja përgjatë 6 muajve të mëparshëm. Nuk dua të argumentoj për të kaluarën. Ne shikojmë nga e ardhmja. Mbledhja e taksave është një prioritet, kush ka paguar taksat është në rregull, kush nuk i ka paguar duhet t’i paguajë ato. Në çdo rast Bashkia do t’i mbledhë taksat, por kjo nuk ndryshon aspak vullnetin tim të shprehur gjatë ceremonisë së betimit për të ndërmarrë një reformë fiskale, që do të jetë ulja e taksave dhe tarifave.

Bazuar në planin tuaj mendohet që ulja e taksave të bëhet brenda 100 ditëve të para. Sa i rëndësishëm është projekti 100-ditor për mandatin 4-vjeçar. Sa e rrit nivelin e besueshmërisë te ju?

100 ditët e para janë ditët e tranzicionit, i cili në vende të ndryshme mbaron 30, 40 apo për 50 ditë në disa raste. Pastaj nis 100-ditëshi. 100-ditëshi përfshin edhe tranzicionin, që siç e dini, për shkak të procesit të tejzgjatur, nuk pati një tranzicion të rregullt. Për fat të keq, z. Rama vendosi të mos marrë pjesë në tranzicion, çka na vështirësoi momentin e dorëzimit të funksioneve jo vetëm për mua, por edhe për stafin esencial. Megjithatë, unë dua të falënderoj stafin, i cili mbeti në detyrë e që kreu me sukses detyrat e ngarkuara me ligj. Besoj se këtë faqe të tranzicionit do ta mbyllim në një kohë jo të gjatë dhe mund ta quajmë një tranzicion të butë dhe paralelisht me të ne kemi nisur punën për përmbushjen e premtimeve kryesore. Ka një grup pune që merret me planin urbanistik, ka një grup pune që merret me Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ka një grup pune që po merret me çështjen e hipotekave, po përfundon produkti i grupit të punës për taksat dhe tarifat dhe kjo në më pak se dy javë nga tranzicioni në Bashkinë e Tiranës.

Një nga sfidat tuaja kryesore është ndryshimi i filozofisë së qeverisjes së Bashkisë së Tiranës, që ka të bëjë me komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarin, marrja e masave dhe në momentin e parë të punës me Agjencinë e Konsumatorit. Pse e nisët fillimisht me këtë agjenci?

E vërteta është se Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit është një instrument i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo bashki, aq më tepër në Tiranë, ku zëri i qytetarit prej kohësh nuk dëgjohej për shkak të zhurmës së konfliktit politik që kishte mbërthyer Bashkinë. Në këtë pikëpamje, është pjesë e pandarë e premtimit tim për ta bërë zyrën e qytetarit tingullin kryesor në Bashkinë e Tiranës dhe veprimtarinë e saj. Kjo është arsyeja që unë hapa dyert për të pritur qytetarët, dhe kjo është arsyeja që duke filluar nga nesër do të vendos një orar pritjeje për qytetarët, jo vetëm për t’u përshëndetur si të mërkurën, por për të dëgjuar problemet e tyre dhe për t’u marrë me to.

Pra takimi i së premtes fillon funksionimin tashmë?

Të premten, në orën 9:00, nesër në orën 9:00, nis takimi me qytetarët së bashku me nënkryetarët, avokatin e qytetit dhe zyrtarë të tjerë do të kenë orarin e tyre zyrtar të pritjes. Në këtë kuadër, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit merr një rëndësi të veçantë sepse nga njëra anë kryen një instrument të kontrollit profesional të cilësisë dhe çmimit të mallrave dhe shërbimeve në qytetin tonë, duke mos zëvendësuar për asnjë çast instrumentet e tregut. Por, duke mos mbyllur sytë para përgjegjësisë që duhet të ketë dhe ka Bashkia për t’u ndeshur me spekulimet dhe cilësinë që ndikon te shëndeti apo te xhepat e qytetarëve të Tiranës. Është një çështje shumë e prekshme, një çështje që do të ketë vëmendje, përgjigjen dhe përgjegjësinë e plotë të Bashkisë së Tiranës, e cila do të vijë nëpërmjet kësaj Agjencie për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Z. Basha, keni emëruar tashmë dy nënkryetarët e Bashkisë, zonjën Tabaku nga PD dhe z. Panariti nga LSI. A do të jetë ky koalicion po kaq i përfaqësuar dhe i suksesshëm në Bashkinë e Tiranës?

Bashkia e Tiranë është e hapur dhe do të identifikojë dhe ftojë personalitete dhe ekspertët më të shquar që mund të jenë në qytetin e Tiranës, dhe kjo vlen për këdo dhe nuk është përjashtues për askënd.

A do ta mbyllini çështje e hipotekave në kryeqytet?

Ju thashë që çështja e hipotekave është shumë kompleks. Në dy rrafshe: e para sepse është e ndarë mes Bashkisë dhe institucioneve të tjera, por kur Bashkia është zanafilla e problemit, do të marrë përgjegjësitë e saj. Së pari duke hartuar planin e veprimit se si do të zgjidhë përgjegjësinë që ka për lejet e shfrytëzimit, por edhe duke u kërkuar autoriteteve të tjera të qeverisë qendrore të veprojnë në një mënyrë të caktuar për ta mbyllur këtë proces brenda një kohe të shkurtër. Unë kam premtuar se do ta mbyll brenda 6 muajve dhe jam optimist se do të mbyllet brenda kësaj periudhe. Rezultatet e para do t’i shohim brenda këtij viti. Bëhet fjalë për disa kategori të ndryshme, të cilat preken nga ky problem dhe zgjidhja do të jetë sipas këtyre kategorive. Besoj se brenda një kohë të shkurt, grupi i punës i ngritur enkas, me konsultimet e duhura me qytetarët dhe me grupet e interesit në veçanti me ndërtuesit, do të paraqesë propozimet që do të marrin formën e tyre ligjore, qoftë si akte bashkiake, dhe aty ku është nevojshme do t’i kërkojmë qeverisë qendrore t’i adoptojë ato si vendime të Këshillit të Ministrave apo qoftë edhe si ligje.

Çfarë do të ndodhë me mënyrën se si do të jepen lejet e ndërtimi, z. Basha, sepse kjo ka qenë një ngërç i madh dhe ka pasur akuza të shumta? Do të ketë një konceptim ndryshe, apo do të zbatohet ligji me korrektesë?

I rikthehemi çështje së planit urbanistik, mungesa e të cilit ka qenë përcaktuese për mungesën e transparencës për lejet e ndërtimit dhe mungesës së investitorëve strategjikë të huaj në Tiranë. Është i vetmi sektor ku kemi mungesë të theksuar të kapitalit të huaj dhe këtu do ta kthejmë faqen me planin urbanistik të hartuar në përputhje të plotë me interesat afatgjata të zhvillimit të Tiranës dhe brezave të ardhshëm. Do konsultohemi me qytetarët e Tiranës me formate “Townhall miting”, të cilat do të vazhdojnë, të konsultuara me ekspertët, që ofron transparencë të plotë për lejet e ndërtimit dhe pastaj procedura e marrjes së lejeve të ndërtimit do të reduktohet me procedurë transparence të bazuar me plan të mirë, konsoliduar, detajuar, transparent e të qartë, që nuk lënë vend për hamendje, për ndryshim të njollës apo lartësisë së objekteve.

A ndiheni të jeni lokomotiva e thithjes së investimeve të huaja, siç e tha Kryeministri Berisha?

Nëse nuk mund të jetë Tirana lokomotiva e investimeve, kush mund të jetë?! Absolutisht Tirana i ka të gjitha potencialet. Këtu janë të grumbulluara potenciale më të mëdha njerëzore, më të çmuara në treg, por edhe potenciale të tjera të tregut. Me çlirimin e energjisë, e cila mund të ketë fjetur për një kohë të gjatë për shkak të vendosjes së pamerituar të Bashkisë së Tiranës në qendër të konfliktit politik, jam i bindur se Tirana do të rimarrë me vendosmëri si lokomotivë e zhvillimit ekonomik, si lokomotivë e investimeve të huaja në Shqipëri.

Mund të jetë slogani juaj tani “Për qytetin, qytetarët, duke zbatuar gjithnjë ligjin”?

Tani ka ardhur koha për veprim. Natyrisht, kërkon komunikim me qytetarët. Fushata ka mbaruar. Ka ardhur koha për t’iu përveshur punës për të bërë realitet ato që kemi premtuar gjatë fushatës.

JULI XHOGAXHI

© Panorama.al

Te lidhura