TIRANË- Në inaugurimin e ujësjellësit të Kodër Kamzës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm 25 mijë banorë, Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka garantuar se brenda pranverës së ardhshme gjithë territori i Tiranës do të furnizohet me ujë 24 orë.
“Plani për të vendosur, për të shtrirë rrjetin e ujësjellësit në të gjithë Tiranën po ecën sipas parashikimit. Në një kohë fare të shkurtër, kemi arritur t’u sjellim ujin më shumë se 60 mijë banorëve të Tiranës, 25 mijë këtu në zonën e Kodër Kamzës, 35 mijë në zonën e Kodrës së Priftit dhe lagjeve përreth. Do të vazhdojmë me zonën e Bregut të Lumit për 5 mijë banorë të tjerë, po të minibashkisë nr.11 dhe më pas me 5 mijë banorë të tjerë përballë Kodrës së Priftit, ndërkohë që projektet po bëhen gati për të ndërhyrë në zonat e reja të minibashkisë 4 dhe 8, pranë Bregut të Lumit, tek fusha e “Misto Mames” dhe në Selitë”- tha Basha.
Sipas tij, plani është që brenda pranverës së vitit të ardhshëm, 100% e territorit të Bashkisë së Tiranës dhe territorit të Tiranës metropolitane, të tilla siç janë edhe pallatet përtej Unazës së Re, ku banojnë qytetarë të Tiranës po në territorin e Kasharit, të furnizohen 24 orë me ujë nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.
Investimi në Kodër Kamzë kap vlerën 60 milionë lekë, kryer nga UKT me të cilin është zgjidhur furnizimi me ujë 24 orë, për zonën. Në këtë zonë janë shtruar 2 km linjë transmetimi, 20 km rrjet shpërndarës dhe janë vendosur 2000 matësa të rinj uji.
© Panorama.al











