Basha: Peshkopët grekë të heqin dorë nga “Vorio-Epiri”

May 19, 2012 | 12:20
Murat Basha

Nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Murat Basha, denoncon qarqe të caktuara greke, përfshirë dhe ato të Kishës, për tentativa të vazhdueshme për të risjellë në vëmendje Vorio-Epirin. Duke komentuar një meshë të mbajtur në një nga fshatrat greke në kufi me Shqipërinë, Basha i kërkon shtetit shqiptar të reagojë fort ndaj provokacioneve që vijnë nga këto qarqe. “Grekët përsëri tregojnë hapur se janë peng i atavizmave dhe deformimeve karakteristike psikologjike, si pasojë e ideve ekspansioniste nacionaliste në drejtim të Shqipërisë. Të nxitur nga drejtuesit e udhëheqësit fetarë dhe shpirtërorë, por edhe nga përfaqësues të lartë politikë, ata kanë mbajtur një meshë në Delvinaq, duke demonstruar haptas urrejtje etnike ndaj shqiptarëve, përsëri kërkojnë “Vorio-Epirin”. Nuk lodhen dhe nuk rreshtin së kërkuari tokat shqiptare, edhe pse janë në prag të kolapsit ekonomiko-social, të cilin e kanë krijuar po vetë….”, shprehet Basha. Sipas tij, duhet reaguar në mënyrë të vendosur ndaj këtyre qëndrimeve. “Gjithmonë jemi treguar tolerantë dhe korrektë në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht me grekët, por vjen një moment kur i duhet thënë mjaft…, bile edhe me zë të lartë. Pavarësisht konfigurimit të ri të Parlamentit grek, ‘ringjalljes’ dhe pjesëmarrjes në të të disa partive dhe elementëve ekstremistë, peshkopët apo edhe politikanët ekstremistë do të ishte më e udhës të mendonin dhe të merreshin me hallet e Greqisë për ta shpëtuar nga bataku ku e kanë zhytur, sesa të ëndërronin me sy hapur si mund të ‘shkëpusin’ copëza toke nga Shqipëria. Gjë që s’do të ndodhë kurrë”, u shpreh Murat Basha.

© Panorama.al

Te lidhura