
Rreth 400 të rinj do të punësohen në kryeqytet brenda 3 muajve. Bashkia e Tiranës dhe mbi 200 biznese nisën dje një marrëdhënie të re bashkëpunimi, në shërbim të punësimit të të rinjve. Përmes një marrëveshjeje të nënshkruar mes kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është rënë dakord që të shihet me prioritet punësimi i të rinjve. “Kjo marrëveshje shërben për të lidhur Bashkinë e Tiranës dhe mbi 200 biznese si fillim, në një marrëdhënie të re, ku ne bashkërisht marrim përsipër të identifikojmë dhe punësojmë brenda një periudhe tremujore nga dy të rinj të sapodiplomuar, për secilin nga këto 200 biznese”, tha Basha. Ai shtoi se do të ndjekë me prioritet zbatimin e saj deri në përfundimin e realizimit të këtij angazhimi. “Le ta dinë pra, qytetarët e Tiranës dhe në veçanti të rinjtë, që sot nuk bëjmë thjesht nënshkrimin në një copë letër, por marrim përsipër që brenda një periudhe tremujore, nëpërmjet biznesit të kryeqytetit të hapim 400 vende pune, për 400 të sapodiplomuar të universiteteve të Tiranës”, tha kryebashkiaku. Në marrëveshje sanksionohet bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, përmes ngritjes së një Qendre Trajnimesh dhe Konsultimesh karriere për të rinjtë e kryeqytetit, qendër e cila do të financohet 50% me fondet publike të Bashkisë së Tiranës dhe 50% me fondet e Dhomës së Tregtisë së Tiranës. Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë janë angazhuar për të ofruar tarifa të reduktuara për një sërë shërbimesh dhe produktesh. “Nëpërmjet këtij rrjeti të përgjegjshëm që quhet Dhoma e Tregtisë së Tiranës, ne ia kemi dalë të arrijmë një nga synimet kryesore të Kartës së Studentit, ofrimin e shërbimeve me kosto të reduktuar për studentët në qytetin e Tiranës dhe, në vend që bizneset t’i kapim një e nga një, ia kemi ngarkuar këtë detyrë Dhomës së Tregtisë, e cila e ka kryer deri më sot shumë mirë”, nënvizoi kryebashkiaku. Ai shtoi se sigurisht që ka hapësira të mëtejshme, por përsëri nëpërmjet këtij kanali bashkëpunimi do të arrihet që në sektorë të ndryshëm të shërbimit në qytetin e Tiranës, nga ato të tregtimit të ushqimit tek ato të kulturës, artit, shërbimeve, t’u ofrohen të rinjve të Tiranës, në veçanti studentëve, çmime më të ulura se çmimi normal, e cila është “një praktikë që pa dyshim sjell një standard europian dhe një praktikë europiane në qytetin tonë”, u shpreh Basha. Ai theksoi në këtë takim vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur biznesin e kryeqytetit, gjë që është dëshmuar që në ditët e para të kësaj administrate, me rishikimin dhe heqjen e mbi 60 tarifave dhe reduktimin e disa prej taksave ndaj biznesit, me krijimin e Qendrës me një ndalesë për licencat dhe me vendosjen e standardit prej 55 ditësh, si maksimum për marrjen e një leje ndërtimi, standard i cili do të nisë të zbatohet menjëherë pas miratimit të Planit të ri Urbanistik.











