Basha pas vendimit: Tani do përvesh mëngët

Jun 26, 2011 | 11:44

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, falënderoi qytetarët pas shpalljes së vendimit të KQZ-së. Përmes një deklarate nga selia e Partisë Demokratike, e cila ishte mbushur me shumë mbështetës, Basha tha se zëri i qytetarëve u dëgjua. “Çdo votë u numërua dhe pritja për rezultatin final ia vlejti, sepse u garantua dëgjimi i zërit të çdo qytetari. Dhe tani që zëri juaj u dëgjua, jam i prekur dhe i përulur që 93 qytetarë më shumë votuan që unë të jem Kryebashkiaku juaj i ardhshëm”, u shpreh Basha. Ndërkohë, festa nisi menjëherë në selinë rozë me fishekzjarrë për rezultatin fitues të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Basha premtoi se tani do të nisë projektin për Tiranën që premtoi gjatë fushatës. “Të përvesh mëngët dhe të nis së bashku me ju punën e madhe që na pret, sepse ‘Ju jeni të parët, Tirana është e para’, nuk ishte dhe nuk është një slogan, por një bindje dhe një program i madh pune dhe djerse”, u shpreh Basha. Ai nënvizoi se fitorja e tij ishte e ngushtë dhe, për këtë arsye, atij i duhet të presë me durim përfundimin e gjithë procesit, ndërkohë që premtoi se me ardhjen e tij në krye të detyrës do të bëjë të mundur realizimin e synimit të tij të vetëm, që zëri i qytetarëve të dëgjohet. Ai i kërkoi rivalit të tij, Edi Ramës, të pranojë rezultatin zyrtar. “Unë e kam thënë që në fillim, se pavarësisht se cili do të jetë verdikti i qytetarëve, unë do ta pranoj atë. Unë besoj se zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar, ndryshe mendon z.Rama. Ne nuk mund të biem dakord për çdo gjë, por të gjithë ne duhet të pranojmë vendimet e institucioneve të pavarura dhe Kolegji Zgjedhor foli qartë kur tha se çdo votë duhet numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por tanimë, në vend që të pranojë se donte të ndrynte zërat e qytetarëve, z. Rama ka zgjedhur të lëshojë akuzat më absurde dhe false, në një rrekje të fundit për të nxirë një proces, që të gjithë qytetarët e panë të shpalosej drejtpërsëdrejti në ekranet e tyre”, u shpreh Basha.

© Panorama.al

Te lidhura