Basha në Katar, së shpejti marrëveshje punësimi

Feb 12, 2012 | 17:12

Marrëveshje binjakëzimi mes Tiranës dhe Dohas, që i hap rrugë bashkëpunimit mes dy qyteteve në infrastrukturë, ndërtim, shërbime dhe së shpejti edhe një marrëveshjeje punësimi për shqiptarët në Katar.

Marrëveshja është nënshkruar sot nga kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe homologu i Dohas,  Mohammed Ahmed Al-Sayed, gjatë vizitës së fundit që Basha po bën në Katar.

Katari, si një nga shtetet me zhvillimin më të shpejtë ekonomik, ka edhe nevojën më të madhe për specialistë të fushave të ndryshme.  Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha  ka diskutuar me drejtues të Ministrisë së Punës  dhe Çështjeve Sociale  për nënshkrimin së shpejti të një marrëveshje punësimi mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje i hap rrugë punësimit të qytetarëve shqiptarë në Katar.  Fushat ku nevoja për specialistë shqiptarë është më e madhe është ajo e inxhinierisë, mjekësisë, infermierisë, mesuesisë për specialist të gjuhëve të huaja etj. Autoritetet e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Katarit  janë shprehur të gatshëm të marrin përsipër edhe kostot financiare të trajnimit profesional të punonjësve shqiptarë për t’iu përshtatur tregut të tyre të punës.

Mësohet se binjakëzimi parashikon bashkëpunim në fushën e ndërtimit, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe licencave për biznesin, bashkëpunim në fushën e billboard-eve të të gjitha llojeve, zhvillimi i programeve të përbashkëta ndërmjet dy bashkive për shkëmbimin e eksperiencave dhe trajnimeve në fusha e ndërtimit, higjienës, edukimit dhe riciklimit të mbetjeve, bashkëpunim në fushën e privatizimit të shërbimeve që ofrohen nga dy bashkitë, etj.

Basha zhvilloi një takim me ministrin e Pushtetit Lokal dhe Planifikimit Urban, të cilin e informoi me projektet e tij për zhvillimin e Tiranës që nga hartimi i Planit Urbanistik , zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit etj.  Ky i fundit nga ana e tij u shpreh i gatshëm të ndihmojë Tiranën në realizimin e këtyre projekteve duke ofruar asistencën dhe eksperiencën e Katarit,  vend i cili po zbaton sot metodat më të avancuara të projektimit  dhe  ndërtimit .

Sipas Bashës, zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritet e Bashkisë së Tiranës dhe në këtë kuader, ai  theksoi se po ndërmerr një sërë nismash dhe vendimesh për ta bërë Tiranën qytetin më miqësor për investime.

“Tirana është e hapur dhe mirëpret investitorët e Katarit të shtrijnë aktivitetet e tyre në Tiranë”- tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura