Basha në Katar, gati marrëveshja për punësimin

Feb 13, 2012 | 12:10

Basha gjatë vizitës në Katar

Vizita e kryebashkiakut, mbështetje edhe për projektet e Tiranës.

Tirana binjakëzohet me kryeqytetin Doha.

Marrëveshje me Katarin për vënien në jetë të projekteve ambicioze të zhvillimit të Tiranës. Në ditën e parë të qëndrimit në Katar, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, zyrtarizoi bashkëpunimin me kryetarin e Bashkisë së Dohas, Mohammed Ahmed Al-Sayed.  Në bazë të marrëveshjes, do të intensifikohen marrëdhëniet dypalëshe në fusha si infrastruktura, ndërtimi dhe shërbimet. Kryetari i Bashkisë së Dohas shprehu kënaqësinë që i jepej mundësia edhe përmes kësaj marrëveshjeje të ndihmonte kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në projektet e tij ambicioze, sikurse vlerësoi se kjo është marrëveshja e pestë që Doha nënshkruan me qytete të tjera në mbarë botën. Marrëveshja e binjakëzimit mes Dohas dhe Tiranës parashikon bashkëpunim në fushën e ndërtimit, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe licencave për biznesin, bashkëpunim në fushën e billboard-eve të të gjitha llojeve, zhvillimi i programeve të përbashkëta ndërmjet dy bashkive për shkëmbimin e eksperiencave dhe trajnimeve në fusha e ndërtimit, higjienës, edukimit dhe riciklimit të mbetjeve. Do të këtë bashkëpunim në fushën e privatizimit të shërbimeve që ofrohen nga dy bashkitë, përfitimi nga eksperiencat e dy qyteteve në fushën e gjelbërimit dhe zbukurimit të qytetit, në fushën rregullatore dhe programeve të edukimit mbi shëndetin. Po kështu, marrëveshja parashikon ekspertizë në ngritjen dhe zhvillimin e standardeve të shërbimeve publike, si dhe rritjen e performancës së mekanizmave për të ecur me hapin e zhvillimit dhe progresit në fushën e shërbimeve bashkiake. Katari, si një nga shtetet me zhvillimin më të shpejtë ekonomik, ka edhe nevojën më të madhe për specialistë të fushave të ndryshme. Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka diskutuar me drejtues të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale për nënshkrimin së shpejti të një marrëveshjeje punësimi mes dy vendeve. Kjo marrëveshje i hap rrugë punësimit të qytetarëve shqiptarë në Katar. Fushat ku nevoja për specialistë shqiptarë është më e madhe është ajo e inxhinierisë, mjekësisë, infermierisë, mësuesisë për specialist të gjuhëve të huaja etj. “Autoritetet e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Katarit janë shprehur të gatshme të marrin përsipër edhe kostot financiare të trajnimit profesional të punonjësve shqiptarë për t’iu përshtatur tregut të tyre të punës”, bëri me dije Bashkia e Tiranës. Basha zhvilloi një takim me ministrin e Pushtetit Lokal dhe Planifikimit Urban.

Galeria e Arteve të Qytetit
Basha zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Autoritetit të Muzeumeve të Katarit, Sheikha Al-Mayassa Bin Hamad Bin Al-Thani. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin kulturor mes Katarit dhe Tiranës. Kryebashkiaku Basha e informoi znj.Sheikha Al-Mayassa Bin Hamad Bin Al-Thani me iniciativën e tij për të ngritur në Tiranë Galerinë e Arteve të Qytetit, si dhe e njohu me trashëgiminë e pasur kulturore që ka Tirana. Basha dhe Al-Thani ranë dakord që të organizohen ekspozita të artistëve të Katarit në Tiranë dhe atyre shqiptarë në Doha.

© Panorama.al

Te lidhura