Basha, në Gjykatë për mandatin

Jul 14, 2011 | 12:11

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka nisur procedurën ligjore për të vërtetuar në Gjykatë mandatin përpara se të marrë zyrtarisht postin e ri.Mesditën e djeshme, avokatët e kandidatit të PD-së kanë depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë padinë e cila mban nr. 12183, me objekt “vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë shpallur me vendimin nr. 1158 datë 25 06 2011 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”. Gjyqtare e kësaj çështjeje do të jetë Elbana Lluri. Padia e kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës ka ardhur një ditë pasi Kolegji Zgjedhor zbardhi vendimin e firmosur nga të pestë anëtarët e trupit gjykues për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste për “pavlefshmërinë e zgjedhjeve”. Avokatët e Bashës i janë referuar Ligjit “për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”, në të cilin saktësohet se mandati i kryetarit të Bashkisë apo komunës vërtetohet nga Gjykata. “Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga Gjykata, në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”, thuhet në pikën e parë të nenit 40 të këtij ligji. Së bashku me padinë, përfaqësuesit e Bashës kanë dorëzuar në Gjykatë edhe vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, vendimin e KQZ-së që shpall kandidatin demokrat fitues me 93 vota më shumë si dhe tabelat për secilën KZAZ të Tiranës me rezultatin përfundimtar për të gjitha qendrat e votimit.

Betimi i Bashës
Sipas Ligjit që rregullon funksionimin e pushtetit vendor në vendin tonë, Gjykata e Tiranës ka 20 ditë kohë, që nga 8 korriku kur u shpall vendimi i Kolegjit, për të vërtetuar mandatin e Lulzim Bashës. Nga ky moment, kryetarit të ri të Bashkisë i duhet që të paraqitet përpara Këshillit të Bashkisë për të bërë betimin. Nëse Gjykata e Tiranës do ta vërtetojë brenda një kohe të shkurtër, kandidati demokrat duhet të presë deri sa të mblidhet Këshilli Bashkiak, i cili edhe ai është në proces gjyqësor për të bërë betimin. Duke pasur parasysh ditën kur ka dhënë vendimin Kolegji Zgjedhor, Basha mund të presë deri në 28 korrik për ceremoninë para 55 këshilltarëve të rinj të Bashkisë. “Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit komunal ose bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë”, thuhet në pikën 3 të nenit 40 të Ligjit për pushtetin vendor. Në të kundërt, brenda 10 ditëve, duke filluar nga 28 korriku, nëse Këshilli Bashkiak nuk do të jetë mbledhur, Basha do ta bëjë betimin para prefektit të Tiranës, në një ceremoni ku do të marrin pjesë edhe banorë të kryeqytetit. Kjo procedurë parashikohet në pikën 5 të nenit 40. “Në rast se këshilli bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose komunës në mjedisin e bashkisë ose komunës dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse”. Pjesë e kësaj procedure është edhe bërja e betimit nga ana e kryetarit, përpara se ai të nisë zyrtarisht punën e re. Formula e betimit është përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji. “Betohem, në emër të zgjedhësve që përfaqësoj, të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e saj. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesat e shtetasve të Bashkisë Tiranë dhe do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre”.

Procedura I

Në një rast të zakonshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të betohet përpara 55 këshilltarëve të Këshillit Bashkiak. “Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit komunal ose bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë”, thuhet në pikën 3 të nenit 40 të Ligjit për pushtetin vendor.

Procedura II

Ligji për organet e qeverisjes vendore parashikon edhe rastin kur kryetari i bashkisë e bën betimin në një kohë që këshilli bashkiak nuk është mbledhur ende. “Në rast se këshilli bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose komunës në mjedisin e bashkisë ose komunës dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse”.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor

Dy ditë më parë, Kolegji Zgjedhor zbardhi vendimin që rrëzoi kërkesën e PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. “E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor me kalimin e afatit 3-ditor, sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura