Basha me Dhomën e Tregtisë: Punësim për 400 të rinj

May 11, 2012 | 13:00

TIRANË- Për tre muaj hapen 400 vende pune dhe punësim për 400 të sapodiplomuar të kryeqytetit. Kjo është një nga pikat e marrëveshjes së firmosur sot mes Bashkisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë, me synim kryesor zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve.

Marrëveshja është firmosur nga kreu i Bashkisë, Lulzim Basha dhe kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

“Ne i garantojmë siguri dhe transparencë biznesit, jo plane klienteliste, por plane të shpalosura qartë. Marrëveshja e bashkëpunimit konsiston në tre nivele; për të lidhur bashkinë dhe mbi 200 biznese si fillim në një marrëdhënie të re, ku ne marrin përsipër të punësojmë brenda 3 muajsh, nga dy të rinj për secilin nga këto biznese. Këtë do e ndjek me kënaqësi si prioritet absolut. Pra hapim 400 vende pune për 3 muaj, për 400 të sapodiplomuar”- tha Basha.

Sipas tij pikë e rëndësishme e marrëveshjes është ngritja e një qendre trajnimesh dhe konsultimesh karriere për të rinjtë, që financohet 50% me fondet e bashkisë dhe 50% të Dhomës së Tregtisë.  Së treti, sipas Bashës vjen ofrimi i shërbimeve me kosto të reduktuar për studentët.

© Panorama.al

Te lidhura