
Kryebashkiaku: Takimet, dritare mundësish për të zhvilluar Tiranën
“Investitorët amerikanë, të mirëpritur në kryeqytet”
Bashkia e Tiranës ka vendosur një bashkëpunim konkret jo vetëm me Bashkinë e Uashingtonit, por edhe me qeverinë e SHBA-ve. Vizita e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Luzim Basha, u mbyll me një takim me komunitetin shqiptar në New York. Basha ka shprehur mirënjohjen për kontributin që diaspora shqiptare dhe miqtë e Shqipërisë në SHBA kanë dhënë për çështjen kombëtare. Një kontribut të rëndësishëm, sipas tij, po japin dhe sot për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Kosovës e të gjitha trojeve ku jetojnë shqiptarët. “Tirana, si qyteti më i madh i shqiptarëve, duhet dhe do të ketë një bashkëpunim të frytshëm dhe të vazhdueshëm me SHBA-të, me kryeqytetin e amerikanëve dhe më të gjithë faktorët e rëndësishëm në këtë vend”, tha Basha. Sipas tij, shumë prej sfidave që e presin Tiranën kanë gjetur mirëkuptim dhe mbështetje. “Disa prej tyre që kanë nevojë për më shumë se “mirëkuptim” dhe mbështetje, pra që kanë nevojë për fonde, e kanë rrugën e hapur, që nëpërmjet institucioneve financiare amerikane, nëpërmjet korporatave amerikane, nëpërmjet biznesit amerikan, nëpërmjet biznesit shqiptaro-amerikan, ne të fillojmë të vëmë në jetë axhendën tonë për një Tiranë moderne europiane, për një Tiranë të shekullit të 21-të. Pra, kam të gjitha arsyet që të kthehem te bashkëqytetarët e mi të Tiranës dhe t’u them se kjo ka qenë një kohë e shpenzuar mirë, se dritaret e mundësive për bashkëpunim me Amerikën janë të hapura plotësisht”, tha Basha. Kryebashkiaku theksoi se në të gjitha takimet që ka zhvilluar që nga Departamenti i Shtetit, ai i Tregtisë, Kongresi Amerikan, institucione financiare, si “OPIC” (Korporata e Investimeve Private Amerikane) dhe Exim Bank, Instituti Kombëtar Demokratik, Instituti Ndërkombëtar Republikan, Qendra për Studime të Avancuara të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin “John Hopkins”, fondacioni “Heritage” me biznesmenë të njohur amerikanë dhe shqiptaro–amerikanë, me Bashkinë e Uashingtonit etj, ka gjetur një mbështetje të projekteve të Bashkisë së Tiranës.
Takimi më federatën “Vatra”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim edhe me drejtues të federatës panshqiptare “Vatra”. Zoti Basha u njoh me përgatitjet që po bëhen për kremtimin më 28 prill të 100-vjetorit të krijimit të saj. Roli dhe kontributi i “Vatrës”, tha zoti Basha, ka qenë i pazëvendësueshëm për çështjen shqiptare në çdo ditë të 100 vjetëve të krijimit të saj. Ky 100-vjetor, i cili përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë, është moment i rëndësishëm për të vlerësuar kontributin e të gjitha veprave të federatës panshqiptare “Vatra”, por edhe miqve e partnerëve amerikanë, të cilët iu ndodhen pranë Shqipërisë në kohë të vështira.











