Basha mbetet 78 vota para Ramës

Jun 2, 2011 | 10:48

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 24 kuti të Tiranës, ku, pas vlerësimit të votave të kontestuara, rezultoi se kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, ka marrë 3 vota më shumë se kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.Nëse KQZ-ja do të arrijë kuorumin e nevojshëm prej 5 votash për t’i përfshirë këto shifra në tabelën përfundimtare, Basha do të jetë 78 vota përpara rivalit të tij socialist. Megjithëse kërkesa e PD-së ishte për 26 kuti në fazën e parë, u hapën 24, ndërsa për dy të tjera nuk kishte informacion në librin e protokollit të mbledhjeve. Nga rivlerësimi i 29 votave doli që Edi Rama ka marrë 16 vota dhe Lulzim Basha 13 vota. Në 13 kuti që u hapën dje, Rama mori 11 vota, ndërsa Basha 9.
Qendrat e votimit
Njësoj si një ditë më parë, në shumë prej qendrave të votimit komisionerët nuk i kishin futur në zarfin e fletëve të votimit të kontestuara, por megjithëse ishin kontestuar, ishin futur në zarfet e votave të kandidatëve, sipas vlerësimit që i kishin dhënë. Në Qendrën e Votimit Nr. 1942/1 u gjetën katër fletë votimi të shpallura të pavlefshme. Pas vlerësimit të KQZ-së, 3 fletë votimi, ku për Bashën ishte votuar me kryq dhe “po” u konsideruan të vlefshme. Përveç katër anëtarëve të djathtë, pro votoi edhe Dëshira Subashi. Ndërsa për një fletë votimi, ku në kuadratin e Lulzim Bashës ishte shënuar kryqi dhe emri “Urim Rama”, u konsiderua e pavlefshme. Në Qendrën e Votimit Nr. 1962 të Njësisë Bashkiake Nr. 9 ishin vlerësuar 15 fletë votimi të pavlefshme. 14 prej tyre nga KQZ-ja u lexuan të vlefshme, përkatësisht 10 për Ramën dhe 4 për Bashën. KZAZ-ja i kishte vlerësuar ato të pavlefshme sepse kishin pikë nga mbrapa, njësoj si fletët e votimit në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Një fletë votimi ngeli e pavlefshme sepse nuk kishte asnjë shenjë. Të gjithë anëtarët e KQZ-së votuan pro vlerësimit si të vlefshme të këtyre votave. Akuzat e opozitës gjatë fushatës për kandidatin demokrat, duket se janë pasqyruar edhe në fletën e votimit ku një zgjedhës ka shkruar në kuadratin pranë emrit të Bashës fjalën “vrasës”. Kjo fletë votimi u konsiderua e pavlefshme. Debati më i madh gjatë mbledhjes u bë për votat e kontestuara në Qendrën e Votimit Nr. 1977, nga ku rezultoi se Basha kishte 2 vota më shumë nga sa ishin shënuar në procesverbal dhe një votë për Hysni Milloshin. Pas vlerësimit të këtyre votave rezultoi se dilte një votë më shumë nga sa ishte shënuar në librin e protokollit të mbledhjeve. “Nga procesverbali thuhet 48 vota dhe nga kutia dalin 49. Nuk dimë nga ka hyrë ajo fletë. Tani pretendohet se kjo fletë i përket kandidatit Basha. Diskutimi që keni ju është për dy fletë të pavlefshme, një e bëtë të pavlefshme për Milloshin, pra mbetet në diskutim vetëm një fletë. Nuk mund të veprosh ndryshe, se nuk del llogaria. 32 është e vlerësuar për Bashën, 14 vlerësuar për Ramën, mbeten vetëm dy. 32 për Bashën, nëse i shton një, bëhet 33, por jo 34, se nuk dalin fletët”, tha përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji. Pas këtyre pretendimeve, Ristani e hodhi propozimin në votim për t’i shtuar dy vota Bashës dhe një votë Hysni Milloshit, dhe u miratua me katër vota pro. Kandidati demokrat është dëmtuar në një qendër votimi, ku në zarfin e fletëve të kontestuara ishin katër vota për të, por që ishin me një vulë.

Votat në kutitë e hapura

KZAZ 49 QV 1847     Lulzim Basha    3 vota
Edi Rama    6 vota

KZAZ 52 QV 1931    Lulzim Basha    1 votë

KZAZ 52 QV 1933    Edi Rama    i hiqet 1 votë

KZAZ 52 QV 1942/1    Lulzim Basha     3 vota

KZAZ 53 QV 1963    Edi Rama    1 votë

KZAZ 53 QV 1962    Lulzim Basha    4 vota
Edi Rama    10 vota

KZAZ 53 QV 1977    Lulzim Basha    2 vota
Hysni Milloshi    1 votë

Rezultati përfundimtar, përfshi edhe votat e 24 kutive të hapura nga KQZ
Lulzim Basha        124 799 vota
Edi Rama         124 721 vota
Hysni Milloshi        1395 vota

Replikat në KQZ

Arben Ristani: Kush është dakord ta votojmë? Pesë pro. (Laze nuk voton as pro, as kundër). Zoti Laze, mos fli. Mendova se po flije.
Artan Laze: Të sugjeroj të bësh një vizitë te mjeku okulist.
Arben Ristani: Mendova se po flije.

***
Skënder Vrioni (drejtor në KQZ): Nga 18 fletë votimi të pavlefshme, dalin 14, mungojnë katër fletë. (Në këtë qendër Rama mori një votë më shumë).
Genc Gjonçaj (përfaqësues i PS): Mos qaj, o Skënder, mos qaj. Sa inat të vjen!
Dëshira Subashi: Unë mendoj që Rama dhe Basha nuk kanë nevojë për avokaturën e administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

***
Eridian Salianji (përfaqësues i PS): Nga procesverbali thuhet 48 vota dhe nga kutia dalin 49. Nuk dimë nga ka hyrë ajo fletë. Tani pretendohet se kjo fletë i përket kandidati Basha. Diskutimi që keni ju është për dy fletë të pavlefshme, një e bëtë të pavlefshme për Milloshin, pra mbetet në diskutim vetëm një fletë. Nuk mund të veprosh ndryshe, se nuk del llogaria. 32 është e vlerësuar për Bashën, 14 vlerësuar për Ramën, mbeten vetëm dy. 32 për Bashën, nëse i shton një bëhet 33, por jo 34, se nuk dalin fletët.
Arben Ristani: Këto që pamë dhe numëruam, keni vërejtje? Do vish t’i numërosh dhe ti njëherë? Ne hapëm zarfin siç e pe, konstatuam që janë të vlefshme, i numëruam dhe kaq del.
Idajet Beqiri (përfaqësues i PSV ’91): Të shtohet një fletë votimi në kundërshtim me vendimin që ka marrë KZAZ është qëndrim i papjekur. Del një tepër. Kjo është provë për ne.
Arben Ristani: Po, po, e hoqëm ne natën një fletë.
Eridian Salianji: Jo, jo, e futët, nuk e hoqët.

Rivotimi

KQZ-ja vendosi dje të rivotohet në komunën e Papërit në Elbasan. Shkak ishte gabimi në prodhimin e fletës së votimit ku në krah të emrit të kandidatit të PD-së ishte vendosur logoja “Aleanca për të Ardhmen” dhe në emrin e kandidatit të PS-së, “Aleanca për qytetarin”. Në këtë komunë ka fituar kandidati demokrat. KQZ-ja ka rrëzuar dje pesë nga gjashtë kërkesat ankimore të futura në rendin e ditës. Fillimisht u rrëzua një kërkesë e LSI-së për komunën Kutë, ku pasi u hap një qendër votimi, rezultati mbeti i pandryshuar. Pas nxjerrjes së rezultatit, kandidati i LSI-së në këtë zonë i dha dorën fituesit, kandidat i Partisë Socialiste. Pasdite u rrëzua një kërkesë e PS për përfshirjen në rezultatin përfundimtar të një vote të hedhur në kutinë e gabuar në Zharrëz të Fierit. Në këtë komunë, kandidati i PD-së ka fituar me vetëm një votë diferencë. Por, pasi doli një votë në favor të kandidatit të PS-së, në një qendër tjetër dolën dy vota për kandidatin e PD-së, duke bërë që rezultati të mos ndryshojë.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura