Basha, investitorëve: Jeni në vendin dhe kohën e duhur

May 10, 2012 | 15:24
Gjatë mbajtjes së Forumit Ekonomik me investitorët kinezë

Lehtësira dhe potenciale të mëdha për investime. Tirana, sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i ofron të gjitha këto mundësi. Gjatë prezantimit në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik Shqipëri-Kinë, u ndal në hapësirat që krijon plani urbanistik, projektet strategjike e deri te klima e biznesit dhe lehtësirat që ofrohen për të investuar në Tiranë. “Plani i ri urbanistik dhe plani i detajuar i bulevardit të ri të Tiranës dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, i cili u është prezantuar në detaje autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës, plani për ndërtimin e dy linjave të tramit të Tiranës dhe të terminalit multimodal të pasagjerëve në hyrje të Tiranës, janë disa prej projekteve kryesore me të cilat ne dalim sot para jush dhe investitorëve kinezë kudo”, tha Basha. Sipas tij, për nga mundësitë që do të hapin për investime private në fushën e ndërtimit rezidencial, komercial, ndërtimin e parkut të ri teknologjik dhe zonave të reja prodhuese, meritojnë vëmendjen e investitorëve. “Shumë prej fushave të aktivitetit tuaj prodhues janë të lidhura me eksportin drejt Europës. E pra, Tirana është një orë dhe një orë e 30 minuta larg qendrave kryesore të Europës. Investimet në sektorin e prodhimit në Tiranë do të bëhen në kushtet e klimës më miqësore që ju mund të gjeni në këtë kontinent”, tha Basha. Ai përmendi lehtësirat e krijuara që nga regjistrimi i biznesit brenda gjysmë ore, marrja e licencave dhe lejeve me një ndalesë të vetme ku procedura zgjat jo më shumë se 10 ditë, apo marrja e një lejeje ndërtimi që zgjat 55 ditë. Në këtë konferencë dhe në prani të Kryeministrit, u nënshkrua mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Nanjingut marrëveshja e bashkëpunimit. Kreu i qeverisë gjithashtu i ftoi kompanitë kineze të investojë në Shqipëri dhe veçanërisht në energjetikë e infrastrukturë. “Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Europës Juglindore që ka pasur rritje të pandalshme të investimeve. Kina kryeson rritjen ekonomike botërore, ndërsa Europa është në krizë. Për 5 vitet e fundit Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në Europë”, tha Berisha. Berisha u ndal te nisma për krijimin e një parku industrial në zonën e Durrësit, ku theksoi pozicionin e favorshëm të tij pranë portit, aeroportit dhe gjithë infrastrukturës së nevojshme. “Sipërmarrjet tuaja janë shumë të mirëpritura të përzgjedhin atë sipërfaqe toke që është tokë publike dhe do të merret me një euro”, tha Berisha. Kryeministri u ndal edhe te potencialet energjetike që ofron vendi, ndërsa theksoi se Shqipëria përbën një rezervuar të madh ujor.

Çelet Panairi i Investimeve
U hap dje në Tiranë Panairi i Teknologjisë dhe Investimeve, ku marrin pjesë 100 biznesmenë nga Republika Popullore e Kinës. Ata shoqërohen edhe nga një delegacion i nivelit të lartë qeveritar dhe institucioneve financiare të Republikës Popullore të Kinës. Kompanitë kineze u përkasin fushave strategjike të ekonomisë dhe industrisë si energjia, industria kimike, telekomunikacioni, transporti, prodhim makinerish dhe teknologjisë së industrisë ushqimore, mekanike, letrës dhe impianteve të përpunimit të mbetjeve të lëngëta dhe të ngurta.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura