Basha: Hetimi i 21 janarit, jo i ndikuar nga axhenda politike

Feb 2, 2012 | 11:47

Kreu i Bashkisë, takim me kongresmenët amerikanë

“Një konsekuencë e ngjarjes ka çuar në humbjen e jetës së 4 qytetarëve të pafajshëm”

Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë vizitës në SHBA, ka zhvilluar takime me kongresmenët Alcee Hasting, Eliot Engel dhe Jean Schmid. Basha ka ndarë me kongresistët amerikanë disa nga projektet kyçe për zhvillimin e Tiranës dhe tri nga prioritetet kryesore: zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës dhe punësimi. Basha ka kërkuar mbështetjen e kongresmenëve që të ndikojnë tek institucionet financiare amerikane për marrjen e kredive të buta për konkretizimin e projektit të tramit, programeve të ndihmës ekonomike, punësimit dhe krijimit të mundësive për stazhe për të rinjtë. Kreu i Bashkisë ka dhënë dhe një intervistë për “VOA”, ku theksoi se rreth 50% e procesit të pajisjes së qytetarëve me tapi është drejt konkretizimit. Basha ka folur për herë të parë dhe për zhvillimet politike, e veçanërisht për ngjarjet e 21 janarit.
Zoti Basha, gjatë vizitës tuaj në Uashington jeni takuar me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Filip Riker në Departamentin e Shtetit, si dhe me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit, Vinson Grey. Cila ishte tema e bisedimeve tuaja?
Së pari, për të krijuar një mirëkuptim dhe bashkëpunim midis qytetit të Tiranës, qytetit më të madh të shqiptarëve dhe Bashkisë së Uashingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Takimi me kryetarin e Bashkisë ka qenë një takim shumë i përzemërt. Ka zgjatur mbi një orë e 15 minuta, gjetëm shumë çështje të përbashkëta. Në disa prej tyre Bashkia e Uashingtonit po lëviz me shpejtësi, siç është plani për tramin e Uashingtonit, i cili është qyteti i parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimin e qëndrueshëm, për ambientin e gjelbër dhe për cilësinë e ajrit, çka është një prioritet i madh për Bashkinë e Tiranës, qytetarët e Tiranës dhe për mua personalisht. Po kështu, në kuadrin e punësimit, kjo bashki ka vënë në funksion një skemë shumë të ngjashme me atë ç’kam premtuar dhe kam filluar të realizoj për ta vendosur Bashkinë në mes të tregut të punës, në mes të ofertës së bizneseve nga njëra anë, të cilat kërkojnë gjithmonë njerëz të kualifikuar dhe kërkesës për vende pune, të papunësuarve, veçanërisht të të rinjve që mbarojnë universitetin. Në këtë kuadër, më premtoi mbështetjen e tij që skema e tij, e cila tashmë ka siguruar një mijë vende pune nëpërmjet 445 bizneseve që janë pjesë e kësaj skeme, të marrë më të mirat e kësaj skeme për ta vënë në jetë në Tiranë.
Pra, Uashingtoni do të jetë modeli juaj për kryeqytetin e Shqipërisë?
Ne po shikojmë modelet më të mira anembanë botës demokratike euroatlantike, por mund t’ju them se këtu, në Bashkinë e Uashingtonit, që është një qytet me përmasa të ngjashme përsa i përket popullsisë me Tiranën, po shohim prioritete të ngjashme me prioritetet e Bashkisë së Tiranës, me prioritetet e qytetarëve të Tiranës dhe prandaj do të mësojmë nga kjo. Më 11 shkurt më informon se ka një samit të qytetarëve të Uashingtonit, siç e quajti ai, dhe në këtë kuadër është një program faktikisht për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, çka është një prioritet shumë i rëndësishëm për mua. Siç e keni reflektuar edhe në kronikat tuaja, procesi i buxhetit kaloi nga konsultimi në 10 takime qytetarësh, procesi i planit urbanistik së shpejti do të kalojë në të njëjtën praktikë të konsultimit me qytetarët. Pra, konsultimi me qytetarët dhe bashkëvendimmarrja me qytetarët e Tiranës është një prioritet i rëndësishëm i imi personal, i Bashkisë së Tiranës. Në këtë kuadër, jemi të gatshëm dhe kërkojmë të mësojmë nga modele të konsoliduara, sikundër është edhe modeli që ofron kryeqyteti amerikan, Uashingtoni.
Gjatë fushatës tuaj elektorale ju premtuat që gjatë mandatit tuaj si kryetar i Bashkisë së Tiranës do të rikrijoni urbanistikën e Tiranës, do të përmirësoni sistemin e transportit brenda qytetit dhe të krijoni një mjedis më të përshtatshëm për biznesin brenda qytetit, për të mos përmendur dhe gjëra të tjera. Deri tani çfarë është arritur?
Mendoj se kemi ecur mirë në këto 6 muaj të parë në fushën e biznesit. Ne kemi eliminuar 60 taksa dhe tarifa, nga 83 që qyteti kishte, ka 23. Kemi kaluar në dhjetor me votën e Këshillit Bashkiak një masë të re, e cila stimulon biznesin, duke u hequr taksat atyre që punësojnë 50 apo më shumë të papunësuar të qytetit të Tiranës. Sikundër edhe industrisë së ndërtimit një ulje me 30% të taksës së infrastrukturës nëse punësojnë më shumë se 75 të papunë. Po bëhemi gati të lançojmë një iniciativë për të mbështetur biznesin e vogël, që është edhe biznesi më i përhapur në qytetin e Tiranës që të ketë lehtësira për të marrë kredi apo për t’u konsoliduar, apo për të hapur biznese të reja. Sikundër e kemi bërë komunitetin e biznesit pjesë të planifikimit tonë në çdo hap. Pjesë e planifikimit strategjik për planin e zhvillimit të Tiranës, por edhe të buxhetit dhe të hapave të tjerë të rëndësishëm në vendimmarrjen e Bashkisë Tiranë, kjo për një arsye biznesi, partneriteti i ndershëm i biznesit është në funksion të rritjes ekonomike dhe hapjes së vendeve të punës dhe hapja e vendeve të punës për qytetarët e Tiranës, në veçanti për rininë e Tiranës, rininë universitare dhe jouniversitare është prioriteti im numër një.
Ju patët premtuar se gjatë 2-3-mujorit të parë të mandatit tuaj do të zgjidhni çështjen e hipotekimit edhe të atyre ndërtesave të hipotekuara për shkak të deformimit të projektit. Ku ka ngecur ky projekt?
Procesi ka ecur përpara. Së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Transportit kemi evidentuar mbi tre mijë apartamente që janë në procesin e marrjes së tapive dhe mendoj se kjo përbën mbi 50% të kontingjentit të pahipotekuar. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës po përfundon punën për 1500 apartamente të tjera dhe këto së shpejti do t’i bashkëngjiten këtij procesi, ndërsa pjesa e mbetur po kështu do të trajtohet ashtu siç kam përsëritur para një jave, gjatë takimit që kisha me biznesin. Çdo ndërtesë, çdo objekt që është ndërtuar me leje të Bashkisë së Tiranës, do të hipotekohet, përgjegjësi për shkelësit do të mbahen në mënyra dhe forma të ndryshme, por banorët nuk do të deprivohen nga e drejta e tyre legjitime për të pasur tapinë e shtëpisë dhe tregu i Tiranës nuk do të deprivohet nga 700 milionë euro pasuri kolateral, të cilat, të futura në tregun e kapitalit, përfaqësojnë një vlerë të konsiderueshme për të konsoliduar biznesin dhe për të hapur vende të reja pune për qytetarët e Tiranës.
Takimi juaj me zotin Riker në Departamentin e Shtetit ishte pjesë e projekteve tuaja për Tiranën?
Unë e njoha zotin Riker me prioritetet e mia, në veçanti me prioritetet për zhvillimin ekonomik dhe punësimin, për një Tiranë me cilësi jete të përmirësuar, për një Tiranë moderne europiane. Në veçanti për planin urbanistik, për projektet kryesore të infrastrukturës, si dhe me hapat që kemi hedhur për një qeverisje më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve, duke përfshirë këtu elementin e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, sikundër e thashë më sipër, nëpërmjet konsultimit me ta për çdo vendim të rëndësishëm për qytetin e Tiranës. Diskutuam për hapësira bashkëpunimi me SHBA, që nga banka e eksport-importit, deri te programet e veçanta të qeverisë amerikane, të cilat stimulojnë këto prioritete qoftë biznesin e vogël, qoftë përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, apo investimet strategjike të qytetit të Tiranës. Në këtë kuadër, mendoj se kemi vendosur një urë shumë të mirë bashkëpunimi midis qytetit të Tiranës dhe Uashingtonit zyrtar.
Gjatë mandatit tuaj si kryetar i Bashkisë së Tiranës jeni përpjekur në njëfarë mënyre të qëndroni larg politikës. Por, megjithatë, jo shumë larg, një vit më parë, ju ishit ministër i Brendshëm kur ndodhën ngjarjet e 21 janarit. Aktualisht Prokuroria ka lëshuar fletë-arresti ndaj komandantit të Gardës Kombëtare dhe ka akuzuar se është bërë fshehje e disa fakteve. Cili është komenti juaj?
Çdo njeri i përgjegjshëm duhet të kufizojë vetveten, është një ngjarje tragjike, një konsekuencë e ngjarjes, ka çuar në humbjen e jetës së katër qytetarëve të pafajshëm, kjo është konsekuenca. Natyrisht, ka shkaqe që çuan këtu. Të gjitha këto duhet të jenë pjesë të një hetimi gjithëpërfshirës, të pavarur e profesional, dhe gjëja më e dhimbshme që mund të bëhet është të vazhdohet të bëhet politikë me këtë ngjarje tragjike. Është e rëndësishme që kjo ngjarje të trajtohet sipas parametrave të shtetit ligjor, të jetë një hetim gjithëpërfshirës, jo i ndikuar, as i frymëzuar politikisht apo nga axhenda politike. Është po kaq e rëndësishme që Shqipëria të fokusohet tek e ardhmja e saj. Në këtë kuadër, protagonistët politikë të kësaj ngjarjeje mendoj se duhet të marrin përgjegjësitë e tyre edhe në raport me ngjarjen, po ç’është më e rëndësishme në raport me përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve. Këtu e kam fjalën për bashkëpunimin politik në kuadër të një Kodi të ri Elektoral, në kuadër të 12 prioriteteve të BE-së, në mënyrë që bojkoti dhe sulmi ndaj institucioneve që solli pengimin e marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë në BE të mos vazhdojnë të qëndrojnë si problem dhe si gur bllokues për rrugën europiane të Shqipërisë. Por të vendosim interesat e vendit, interesat e qytetarëve shqiptarë mbi interesat vetjake personale partiake dhe bashkëpunojmë për hir të vendit. Rruga e bashkëpunimit është e qartë mbi tavolinë, partnerët tanë e kanë thënë, Brukseli zyrtar e ka thënë, Uashingtoni zyrtar e ka thënë, ma përsëritën edhe këtu gjatë takimit tim. Kjo rrugë kalon nga reforma elektorale, nga përmbushja e ligjeve me 3/5, të ligjeve që do të hapin rrugën për statusin kandidat dhe nga bashkëpunimi për hir të interesave të larta të vendit. ZERI I AMERIKES

Berisha: Po miratojmë programin për mandatin e tretë
Kreu i maxhorancës, Sali Berisha, ka miratuar dje programin ekonomik e fiskal për vitet 2012-2014. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha ka deklaruar se programi ekonomik fiskal i Shqipërisë parashikon rritjen e të ardhurave dhe uljen e papunësisë. Duke kujtuar afrimin e zgjedhjeve parlamentare, Berisha ka bërë me dije se qytetarët do të kenë shansin e madh të votojnë për këtë program që parashikon rritje të rrogave e pensioneve dhe përmirësimin e treguesve makroekonomikë. “Është  në rendin e ditës vendimi për miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë për mandatin që vjen, dy vitet e para të tij, 2012-2014. Natyrisht, kjo po, në rast se duan shqiptarët. 2013-a po afron dhe qytetarët shqiptarë do të kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, i cili përsëri parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve të tyre; për këtë program që parashikon optimalizim të plotë të treguesve makroekonomikë; për këtë program që parashikon jo rritje të taksave, por lehtësira të tjera progresive”, deklaroi Berisha. Shefi i qeverisë ka ironizuar dhe me taksat progresive që ka prezantuar kryesocialisti Edi Rama. Berisha e ka quajtur si një marrëzi programin e prezantuar nga kreu i opozitës. “Sulmi që bën shoku Rama (se kur del me platformë marksiste nuk mund t’i thuash zoti Rama, se ofendohet) me taksën marksiste te Fidelët e tij është i tëri i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës së të parëve, sepse statistikat faktojnë se 40% e vendeve të punës janë të krijuara nga 1% e bizneseve dhe hajde tani t’u biem me topin marksist këtyre që të shkatërrohen me mijëra vende pune”, deklaroi Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura