Basha hap dyert, pret mijëra qytetarë

Jul 28, 2011 | 10:18

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, ka hapur derën e Bashkisë për qytetarët, dy ditë pasi mori detyrën e re. Mijëra qytetarë i janë përgjigjur ftesës së kryetarit të Bashkisë për të zhvilluar me të takimin e parë që pas
marrjes së postit. Në orën 18:00, Basha, së bashku me dy nënkryetarët Jorida
Tabaku dhe Edmond Panariti, kanë pritur kryeqytetasit e parë në zyrën e katit të dytë, ku ai zhvilloi edhe takimin me ambasadorët pasi u betua
në Këshillin Bashkiak. Për rreth 90 minuta, kreu i Bashkisë ka takuar të gjithë
qytetarët dhe, më pas është larguar për të vazhduar me axhendën e tij.
URIMET
Shumica e qytetarëve kanë shkuar të takojnë Bashën për t’i uruar detyrën
e re, si dhe për të bërë fotografi me të. Ata kanë shfrytëzuar telefonat celularë
për të fiksuar momentet e takimeve me kreun e Bashkisë. Disa prej tyre i kanë
dhuruar lule kryebashkiakut, ndërkohë që nuk kanë munguar ata që i kanë dhuruar suvenire. Ato kanë qenë me pamje nga kryeqyteti, kryesisht xhamia dhe godina e Bashkisë. Qytetarët që u takuan me Bashën ishin të
moshave të ndryshme, përfshi edhe fëmijët e vegjël. Një vajzë gjashtëvjeçare, teksa i dha dorën Bashës, i tha “urime, fitore dhe suksese në punën e re. Të na e bësh Tiranën të bukur”. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i
kryebashkiakut, i cili iu përgjigj duke i thënë “do ta bëjmë Tiranën të bukur si ti”. Të shumtë ishin edhe qytetarët që nuk e fshehën qëndrimin e tyre. “Edi Rama na mërziti, urime zoti Basha!”, iu drejtua njëri prej të
moshuarve. Ndërsa një tjetër  i tha “kurrë mos e lëshofsh Bashkinë e Tiranës!”.
PROBLEMET E QYTETARËVE
Por jo të gjithë qytetarët në këtë takim të parë me kryebashkiakun e ri kishin
ardhur vetëm për ta uruar atë. Disa prej tyre kërkuan që të ndajnë me Bashën
shqetësimet për problemet që kanë në Tiranë. Në këtë takim të parë, stafi i Bashkisë kishte marrë masat që t’i merrte të dhënat të gjithë qytetarëve për t’u kontaktuar më pas nga punonjësit e Bashkisë. Njëri prej të
moshuarve kishte si shqetësim marrjen e hipotekës, një premtim elektoral
ky, i Lulzim Bashës. “Kam besim që mua do të ma japin hipotekën tani, deri
më sot nuk na e kanë dhënë”, iu drejtua i moshuari Bashës. Qytetarët që donin
të diskutonin me Bashën për problemet e tyre, orientoheshin nga nënkryetarja Jorida Tabaku për të lënë numrin e telefonit dhe emrin
pranë sekretarisë dhe merrnin prej saj premtimin se do të kontaktoheshin
shumë shpejt për të diskutuar rreth të gjitha shqetësimeve. Në minutat e fundit, pasi përcolli edhe qytetarin e fundit, Basha ka ndarë disa minuta me gazetarët, të  cilët i kanë përdorur ato për të bërë fotografi me kryebashkiakun e ri. “Bashkia u përket të gjithëve dhe ne do
të punojmë për interesat e qytetarëve, pavarësisht përkatësive të tyre politike”, është shprehur kryebashkiaku Basha. Sipas tij “Bashkia
nuk do të jetë më vend i betejave politike. Të vetmet beteja të Bashkisë do të jenë interesat dhe shqetësimet e qytetarëve të Tiranës”.

BASHA EMËRON KREUN E POLICISË BASHKIAKE

Në ditën e dytë të punës në Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka emëruar edhe
kreun e ri të Policisë Bashkiake. Florenc Hoxha, ish-shefi i Komisariatit numër tre në kryeqytet do të zërë vendin që deri tani e mbante Zyhdi Dajti. Në të njëjtën kohë, Basha ka emëruar edhe Florjan Pustinën si shef të kabinetit. Në ditën e parë, ai emëroi Jorida Tabakun si nënkryetare të Bashkisë dhe Etion Kapedanin si administrator të Bashkisë.

Basha prezanton Panaritin si nënkryetar të Bashkisë

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka prezantuar dje Edmond Panaritin si nënkryetar të Bashkisë. Sipas tij “Mbrojtja e konsumatorit merr sot një shtytje të fuqishme, me emërimin e profesor, doktor Edmond Panaritit, si nënkryetar i Bashkisë, i cili do të jetë i fokusuar në mbrojtjen e konsumatorit, si nga ana
e sigurisë ushqimore, ashtu edhe për konkurrueshmërinë në treg, pa spekulime”. Sipas Bashës do të fokusohet në çështjet e mbrojtjes së konsumatorit. Gjatë prezantimit, Basha bëri të ditur se Panariti është një nga kapacitetet më të njohur në vend dhe në rajon, sa i përket çështjeve të mbrojtjes së konsumatorit. Nga ana e tij, Panariti tha se mbrojtja e konsumatorit është një prioritet absolut dhe emergjent. Nënkryetari i Bashkisë tha se ishte i lumtur që mbrojtja e konsumatorit është pjesë thelbësore e programit të Bashës. “Ky prioritet i programit tuaj, që e keni
theksuar edhe gjatë fushatës, shkon në sinkron të plotë, edhe me angazhimin tim qytetar”, – u shpreh Panariti.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura