
Brenda një kohe të shkurtër do të nisë puna për rehabilitimin e plotë të shtratit të Lanës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri me dije dje se ka përfunduar projekti teknik dhe pritet financimi i tij nga qeveria shqiptare.
“Ne kemi përfunduar projektin teknik për rehabilitimin e plotë të shtratit të Lanës, nga pjesa ku mbaron këtu dhe deri në Shkozë, projekt për të cilin në ditët e ardhshme do të negociohet financimi me qeverinë shqiptare dhe kam shumë shpresë e besim se mund të inaugurojmë fillimin e punimeve brenda një kohe të shkurtër”, tha kryetari i Bashkisë.
Këto deklarata ai i bëri dje, gjatë nisjes së punimeve në rrugën “Endri Keko”, që lidh bulevardin “Zhan D’Ark” me rrugën “Sadik Petrela”.
“Në ndërtimin e kësaj rruge janë marrë parasysh parametrat më modernë, duke filluar nga kanalizimet e ujërave të zeza e të ujërave të shiut”, u shpreh kryebashkiaku. Sipas tij, Bashkia ndodhet në fazën e zbatimit të projekteve të hartuara me profesionalizëm dhe të prokuruara në transparencë të plotë. Në muajt e kaluar dhe brenda marsit të vitit të ardhshëm, shumica e këtyre punimeve do të kenë përfunduar dhe, me përfundimin e tyre, brenda një viti e gjysmë do të kemi realizuar të njëjtin volum punësh publike, që qyteti dhe Bashkia kanë njohur për 11 vitet e kaluara,” theksoi kryebashkiaku.











