Basha-Duka, dakord për “Qemal Stafën”

May 3, 2012 | 13:53
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka pritur dje në një takim presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Tema e takimi kishte lidhje me ndërtimin e parkingut pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Firma që ka fituar tenderin që para 4-5 muajve ka nisur prej disa ditësh punimet, por ka hasur në pretendimet mediatike të FSHF-së, e cila ka kërkuar shtyrjen e punimeve deri në fund të tetorit me qëllim që të shfrytëzonte pa problem “Qemal Stafën” si për ndeshje të kampionatit, por veçanërisht të Kombëtares. Lidhur me këtë shqetësim, Basha priti dje Dukën në zyrën e tij duke i sqaruar këndvështrimin e Bashkisë si me projektin në fjalë, por edhe me futbollin dhe FSHF-në. Sipas zyrës së shtypit të Federatës dhe të Bashkisë, në parim Duka dhe Basha kanë qenë dakord që punimet të vazhdojnë për ndërtimin e parkingut si një kërkesë e nevojshme, por njëkohësisht të krijohen mundësi për realizimin e kushteve për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në këtë impiant. Gjatë bisedës është diskutuar edhe ideja se firma që ndërton parkingun të realizojë mundësinë në zonat rreth stadiumit për akomodimin e mjeteve që kërkojnë rregullat e FIFA-s. Por duhet thënë se edhe këtu duhet një aprovim i institucionit më të lartë botëror të futbollit për të zhvilluar ose jo ndeshjet në Tiranë. Në të kundërt, është hedhur ideja për zhvillimin e takimeve në “Loro Boriçi”, të qytetin e Shkodrës. Ky impiant ka nevojë për rikonstruksion, por si Basha dhe Duka kanë pohuar se do të investohen që në rast se nuk arrihet plotësimi i kushteve te “Qemal Stafa”, të bëjnë të mundur rikonstruksionin e impiantit të Shkodrës.

© Panorama.al

Te lidhura