Basha: Brenda vitit 24 km korsi për biçikletat

Sep 19, 2012 | 11:32

Brenda këtij viti, në Tiranë do të ketë 24 km korsi dedikuar për biçikletat. Këtë premtim bëri dje kryebashkiaku Lulzim Basha, në hapje të “Javës së Ndërgje-gjësimit” për reduktimin e përdorimit të makinave. Përmes përshkimit me biçikletë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, mesazhi që u synua të përcillej, ishte reduktimi sa më tepër i automjeteve dhe rritja e përdoruesve të biçikletave apo transportit publik. “Në vitin e parë të administratës sime, jam angazhuar për shtrimin e 20 km rrugë biçikletash në qytet dhe, në fakt, me përfundimin e projektit multimodal i cili do të shtrihet në plot 12 rrugë kryesore të qytetit, në përfundim të këtij viti, qyteti do të ketë 24 km korsi biçikletash, korsi të dedikuara, të shënuara, të pajisura me sinjalistikë dhe që garantojnë sigurinë e çiklistëve”, tha kryebashkiaku Basha. Ai shtoi se krahas korsive të dedikuara, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të ruajë me fanatizëm sigurinë e çiklistëve. Zoti Basha u bëri thirrje qytetarëve t’i rikthehen edhe një herë këtij mjeti të transportit, që Tirana e ka njohur mirë për dhjetëra vite. “Të gjithë e dimë se sa problematik është trafiku në Tiranë dhe, ndonëse ne po kryejmë investime të zgjuara, strategjike siç është rehabilitimi i rrethrrotullimit të Doganës apo investime tek Brryli apo investime të mëdha siç është Unaza e Madhe e Tiranës, përsëri zgjidhja më e mirë është mospërdorimi i makinës për çdo ekzigjencë”, tha Basha. Sipas tij, sot automjetet duhet të përdoren me eficiencë e me kursim, dhe biçikleta, veçanërisht në këtë qytet që ka një reliev relativisht të sheshtë, është një alternativë e shkëlqyer transporti. “Bashkisë i mbetet të sigurojë kushte, si dhe të nxisë ndërmarrjet si ‘Ekovolis’, për një shtrirje sa më mirë të rrjetit të tyre, ndërkohë që qytetarëve u bëj thirrje edhe një herë, t’i rikthehen këtij mjeti efikas, të pakushtueshëm dhe, pse jo, të shëndetshëm të transportit në qytetin tonë”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura