Basha, takim me Arvizu pas kthimit nga SHBA

Feb 8, 2012 | 11:08
Basha dhe Arvizu

Kryetari Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka takuar dje ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, menjëherë pas kthimit nga vizita e tij në SHBA. Zyrtari i lartë amerikan dhe kryebashkiaku janë parë rreth orës 17:30 duke zbritur shkallët e një prej lokaleve në zonën e ish-Bllokut. “Projektet strategjike të zhvillimit të Tiranës dhe gatishmëria e shprehur nga institucionet amerikanë për të mbështetur edhe financiarisht këto projekte, kanë qenë në qendër të bisedës që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një takim miqësor në një lokal të Tiranës, pas kthimit të z. Basha nga vizita në SHBA. Basha dhe ambasadori Arvizu kanë biseduar edhe për mundësitë e tërheqjes së investitorëve amerikanë për të shtrirë aktivitetin në Tiranë, por edhe për t’u bërë pjesë e realizimit të projekteve të zhvillimit të Tiranës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës pas takimit. Pak ditë më parë, ambasadori i SHBA-ve deklaroi se do ta takojë Bashën pasi të kthehet nga vizita në Amerikë, për ta pyetur për përshtypjet e tij. Në intervistën për televizionin “ABC News”, Arvizu e quajti Bashën yll në ngjitje në politikën shqiptare. “Disa njerëz e kanë parë atë si një yll në ngritje në qiellin politik shqiptar dhe pres me kënaqësi që të flas me të kur të kthehet dhe të dëgjoj disa prej përshtypjeve të tij nga vizita në SHBA. Nuk e di ekzaktësisht sa vjeç është, është afërsisht 30 e ca vjeç, është kryetar i Bashkisë së Tiranës, është një arritje shumë e madhe dhe për respektin që kam për politikanët që janë diku në të 50-tat apo në të 60-tat, mendoj se gjithashtu është e rëndësishme që të ketë gjak të ri, sepse duhet të ketë… freski”, tha Arvizu.

© Panorama.al

Te lidhura