
Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, ka uruar dje me anë të një letre Presidentin e zgjedhur të Republikës, Bujar Nishani. Në shkresën e tij, presidenti i Komisionit Europian, Barroso, kërkoi prej kreut të ri të shtetit që të jetë një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e balancave institucionale dhe intensifikimin e dialogut politik midis palave. Letra e presidentit të KE-së, nis me tone shqetësuese për mungesën e dialogut midis forcave politike, por në të njëjtën kohë kërkon prej Presidentit Nishani që të luajë një rol moderues dhe të garantojë klimën e mirë politike. Barroso e cilëson si prioritare finalizimin e marrëveshjes së nëntorit të vitit të shkuar, që ka në thelb miratimin e reformës zgjedhore, atë parlamentare dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
“Dëshiroj t’Ju uroj me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Shqipërisë. Ky është një moment kritik për rrugën që po ndjek Shqipëria drejt Bashkimit Europian. Reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të arritur progres drejt Bashkimit Europian kërkojnë konsensus kombëtar dhe punë të qëndrueshme, koherente dhe konstruktive nga të gjitha institucionet dhe partitë politike. Si President i Shqipërisë, që përfaqësoni unitetin e popullit në linjë me Kushtetutën, roli Juaj do të jetë jetësor për të garantuar që do të ruhet klima e mirë politike dhe do të mbështetet pavarësia dhe profesionalizmi i institucioneve kryesore shtetërore, veçanërisht në fushën e Gjyqësorit. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike, veçanërisht në kuadër të finalizimit të implementimit të marrëveshjes politike të muajit nëntor dhe përkushtimi i vazhdueshëm e i përgjegjshëm, me synim arritjen e rezultateve nga të gjithë aktorët e përfshirë, janë bazat për të siguruar që reformat e kërkuara do të zbatohen. Ju uroj suksese në rrugën Tuaj për të ndihmuar Shqipërinë të bashkojë përpjekjet e saj për të kapërcyer sfidat me të cilat ajo ndeshet për të realizuar të ardhmen europiane. Komisioni Europian mbetet i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, shkruan në letrën e tij presidenti i KE-së, Manuel Barroso.











