
Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka vizituar dje Athinën duke kërkuar nga Kryeministri Samaras zbatimin e të gjitha reformave të vonuara, duke theksuar se vendi i Greqisë është në eurozonë. Barroso zhvilloi një takim kokë më kokë me Kryeministrin grek Antonis Samaras, i cili zgjati rreth dy orë. “Fjala kryesore është: jepni, jepni, jepni. Çështja kryesore është: zbatimi i rezultateve të të dhënit”, tha Barroso pas takimit. “Për të ruajtur besimin e partnerëve europiane dhe atyre ndërkombëtarë, vonesat duhet të marrin fund. Nuk ka më fjalë, veprat janë më të rëndësishme se fjalët”, deklaroi ai duke shtuar se “Greqia është pjesë e eurozonës dhe e tillë duhet të mbetet. Ky është synimi ynë. Të gjithë krerët e shteteve të eurozonës kanë deklaruar se Greqia duhet të qëndrojë në grup për sa kohë do të respektojë angazhimet e veta”.
Barroso tha se ai pa vullnet dhe dëshirë të re nga koalicioni i ri tripartiak në Greqi për zbatimin e axhendës së reformave të vendit, të cilat janë mandatuar nën kushtet e paketës së dytë të ndihmës. Kreu i KE tha se i kupton shqetësimet e grekëve dhe sakrificat e tyre, por theksoi se janë të nevojshme reformat për forcimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit. “Grekët nuk janë vetëm, ekziston shpresa”, theksoi kreu i KE-së.
Ndërkohë Kryeministri Samaras tha në konferencën e përbashkët për shtyp se “me presidentin e Komisionit Europian ramë dakord të punojmë së bashku”. Ai pohoi se qeveria e tij është e përkushtuar për të bërë ndryshimet strukturore, privatizimet dhe për zbatimin e masave të kursimit për të rimëkëmbur ekonominë e shkatërruar të vendit vendit. “Do bëjmë çfarë është e mundur për rimëkëmbjen e ekonomisë, që nga privatizimet, shkrirja e organizmave publikë dhe shkurtimet e shpenzimeve publike në të gjitha nivelet”, theksoi Samaras. Kryeministri grek ka kritikuar edhe deklaratat e disa personaliteteve të huaja, që “komplikojnë arritjen e qëllimeve”, duke kërkuar frenimin e tyre.
Vizita e Barrosos ndodhi ndërkohë që inspektorët ndërkombëtarë të Trojkës se huadhënësve nga FMN, BE, BQE janë në Athinë për të parë progresin e këtyre reformave. Greqia ka qenë nën presion për të shtuar përpjekjet e saj në zbatimin e reformave të premtuara, të cilat përfshijnë masa të ashpra kursimi dhe e kanë përfshirë vendin në greva e protesta të vazhdueshme dhe ndryshime të shpeshta të drejtuesve politikë. Kontrolli i ekspertëve të Trojkës është i pari që pas zgjedhjeve të qershorit, nga të cilat doli koalicioni i fundit qeverisës. Nga rezultati i tyre varet lëvrimi i këstit të radhës për Greqinë, prej 31.5 miliardë eurosh. Sot pritet të zhvillohet një takim mes Samaras dhe përfaqësuesve të Trojkës, për të mësuar mbi përshtypjet e tyre në këtë inspektim të parë. Trojka do të kthehet në Greqi në shtator.
Deklarata e “Citigroup”
Rreth 90 për qind janë gjasat për dalje të Greqisë nga euro gjatë 12-18 muajve të ardhshëm, sipas vlerësimeve të kreut të analistëve ekonomistë të “Citigroup”, transmeton Dow Jones Newswires. Në vlerësimet e mëparshme, “Citigroup” kishte vendosur shanset midis 50% dhe 75%.
© Panorama.alDragi: Më besoni, euro do të mbijetojë
Në një fjalim të mbajtur dje, guvernatori i Bankës Qendrore Europiane tha se BQE do të bëjë gjithçka për të mundësuar mbijetesën e euros. Guvernatori i BQE, Mario Dragi, u shpreh se “Banka Qendrore Europiane do të bëjë gjithçka që mundet për të mbajtur në këmbë monedhën europiane, përfshirë edhe veprime konkrete për uljen e kostos së huave për vendet anëtare. Brenda mandatit tim, BQE-ja do të bëjë gjithçka ka në dorë dhe më besoni, jam i sigurt që kjo do të jetë e mjaftueshme”. Guvernatori Dragi shtoi se monedha e përbashkët është e pakthyeshme. Fjalimi mbështetës i Dragit funksionoi. Tregjet reaguan menjëherë pozitivisht. Kostoja e huamarrjes për vendet e eurozonës shënoi ulje, madje edhe për vende në krizë të konsiderueshme si Spanja. Fjalimi shërbeu edhe për rritjen me 0,5 për qind të vlerës së euros në bursa.











