Barroso: Agjencitë e vlerësimit të kredive, antieuropiane

Jul 7, 2011 | 10:32

Presidenti i Komisionit Europian ka sulmuar agjencitë e kredive duke i quajtur ato “antieuropiane”, pas uljes së vlerësimit të Portugalisë.Hose Manuel Barroso tha se BE-ja ka planifikuar të forcojë rregulloren në lidhje me tre agjencitë kryesore për klasifikimin e kredive: “Standard & Poor”, “Moody’s” dhe “Fitch”. Ai tha se ligjvënësit europianë do të vëzhgojnë edhe çështjet e “përgjegjësisë civile” për gjykimet e gabuara nga agjencitë për meritat e kredisë së kombeve sovrane europiane. “Është e çuditshme, asnjë agjenci e vetme vlerësimi nuk ka ardhur nga Europa”, tha ai. “Kjo tregon se mund të ketë disa paragjykime në tregje, kur është fjala për vlerësimin e çështjeve specifike të Europës”, shtoi kreu i KE-së. “Ka disa zhvillime të mundshme në lidhje me mundësinë e krijimit të agjencive të vlerësimit me origjinë në Europë”, tha Barroso, duke reaguar pasi “Moody’s” dha një vlerësim shkatërrues mbi problemet financiare të Portugalisë. Në raportin e Agjencisë thuhej se vendi “nuk mund të arrijë plotësisht të bëjë shkurtime të nevojshme për të reduktuar deficitin e saj të fryrë”. Në raport thuhej gjithashtu se “vendi po ballafaqohet me probleme të mëdha në shkurtimin e shpenzimeve, rritjen e taksave, arritjen e rritjes ekonomike dhe mbështetjen në sistemin e tij bankar”. Agjencia amerikane e vlerësimit të aftësisë paguese, “Moody’s”, e uli dje aftësinë e Portugalisë me katër niveleve, në statusin “pa vlerë”. “Ekziston rreziku që qeveria në Lisbonë të ketë nevojë për një paketë të dytë shpëtimi, si në rastin e Greqisë, dhe të jetë e nevojshme pjesëmarrja e kreditorëve privatë”, argumentoi “Moody’s”. Por, agjencia financiare njoftoi se dyshon në aftësinë e Portugalisë për arritjen e objektivave të kursimit, të caktuara prej qeverisë portugeze, në këmbim të paketës së ndihmës prej 78 miliardë eurosh nga BE-ja dhe FMN-ja. Vlerësimi i saj pasoi me reagimin e menjëhershëm të indinjuar të qeverisë së re të qendrës së djathtë në Lisbonë, e cila u ankua se në vlerësimin e saj “Moody’s” nuk ka marrë parasysh futjen e taksës së re të jashtëzakonshme si dhe mbështetjen nga opozita të përpjekjeve për kursime. Ekspertët thanë se një paketë e dytë ndihme për Portugalinë mund të çojë në një efekt domino në vende të tjera, duke përfshirë edhe Irlandën, Spanjën dhe Italinë, të cilat kanë nevojë për të holla nga BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në Britani

Taksapaguesit në Britani kanë shprehur shqetësimin se të ardhurat e tyre mund të përdoren për të financuar një paketë të dytë ndihme për Portugalinë, e cila e mori paketën e parë prej 78 miliardë eurosh në muajin prill. Britania ka kontribuar me 12.5 miliardë paund (rreth 14 miliardë euro) në paketat e shpëtimit për Irlandën, Greqinë dhe Portugalinë dhe një miliardë paund për paketën e dytë të shpëtimit për Athinën. Frika nga rënia e vlerësimit për Portugalinë ka shkaktuar humbjen e 7.8 miliardë paundësh pasditen e djeshme në bursën e Londrës, “London Stock Exchange”. Kryeministri britanik, David Kameron, do të “luftojë” çdo përpjekje për rritjen e sasisë me të cilën duhet të kontribuojë Britania.

Në Gjermani

Ndihmat prej miliardash euro të Gjermanisë për shtetet e eurozonës në krizë financiare, po ballafaqohen me gjykimin në Gjykatën Kushtetuese të këtij vendi. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubël, mbrojti para Gjykatës Kushtetuese paketat e ndihmës si garanci të nevojshme për tregje financiare ndërkombëtare të qëndrueshme. Por, kundërshtarët e tij dhe pesë profesorë të ekonomisë në hapjen e diskutimeve në Gjykatën në Karlsruhe, argumentuan se kontrolli demokratik nga Parlamenti federal kështu është i rrezikuar. Ata kanë ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese kundër pjesëmarrjes gjermane në paketat e ndihmës. Vendimi pritet deri në vjeshtë.

© Panorama.al

Te lidhura