I kërkoj menjëherë ndjesë lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike për titullin e saj disi të çuditshëm, por, që ai të më kuptojë drejt, po vazhdoj në çast me një barcaletë franceze: “Para ca kohësh, diku, në Francë, na ishte një çift i ri që nuk po arrinte të bëhej me fëmijë, pavarësisht dëshirës përvëluese për t’u bërë familjarisht vetë i tretë. Por, pas dy-tri vitesh orvatjesh të përditshme (më saktë kryesisht të përnatshme) për t’u ngjizur me të shoqin dhe vetëm me atë, erdhi një moment i lumtur kur zonja e kuptoi që kishte mbetur me barrë: amenhorre, pra ndërprerje të ciklit mujor të zakoneve, tendosje të gjinjve, fryrje të shkallëshkallshme të barkut e prirje për të vjellë. Të gëzuar, burrë e grua, pasi pritën të kalonte edhe një muaj tjetër që të siguroheshin mirë, shkuan, duke fluturuar nga hareja, te gjinekologu i lagjes. Ky, pasi ekzaminoi zonjën duke bërë edhe testin e shtatzënisë, edhe një ekografi, i tha asaj të dilte nga kabineti i vizitave dhe e ftoi të shoqin të hynte për të folur me të. Zotëria ulet dhe dëgjon gjithë respekt e vëmendje mjekun, i cili i flet kështu: “Më vjen shumë keq, por bashkëshortja juaj nuk është shtatzënë, ajo ka thjesht një barrë nervore, thënë më thjesht, një barrë imagjinare, pra, nuk ka embrion njerëzor në mitër!”. I befasuar, burri hidhet e pyet: “Por ç’dreqin paska që i është fryrë barku?”. Mjeku i përgjigjet shkurtimisht: “Ajër, vetëm ajër, zotëri, asgjë tjetër!”. Atëherë, burri ia kthen gati me zemërim: “Doktor, po pse, pompë biçiklete paskam unë midis shalëve?”.
Kjo barcaletë m’u kujtua, pra, këto ditët e fundit kur u përgënjeshtrua lajmi i kobshëm se ishte rrëmbyer bashkëshortja e nderuar e kryebashkiakut të sapozgjedhur po aq të nderuar të qytetit njësoj të nderuar të Kavajës, se kësaj zonje i ishte nxjerrë fëmija nga barku, se krijesa e pafajshme ishte fshehur diku, se e ëma ishte gjetur diku tjetër, në gjendje të përgjakur e të lebetitur etj., etj. Ky lajm i kobshëm më tronditi dhe indinjoi jashtë mase, por, për çudi, pas 24 orësh, bëri bujë një kundërlajm i përhapur nga mediat elektronike, sipas të cilit kjo ngjarje e kobshme, që kishte nisur të politizohej nga e krerët e opozitës (çfarë shansi për të!), kishte qenë një bllof monumental, sepse “viktima” në fjalë nuk kishte qenë kurrë shtatzënë, çka ishte vërtetuar nga mjeku gjinekolog (jo francez, natyrisht).
Tani, po i kthehem titullit të këtij shkrimi: Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj se fillimisht titullin e vura “Barrë imagjinare”, por, pastaj, ndërrova mendim, sepse nëse zonja në fjalë (shqiptarja, jo francezja) nuk ka pasur as barrë imagjinare, i bie që dikush e ka pasur në mendje një barrë të tillë për rastin konkret. Një kanal televiziv sugjeroi para dy ditësh që e gjithë kjo histori nuk mund të ishte veçse një skenar i pjellë nga mendja e zotit Rama, pra, logjikisht, ishte ky zotëri që kishte një barrë nervore, pra imagjinare. Në këtë kuadër, për të dhënë me një fjalë të vetme idenë e barrës imagjinare të sajuar nga mendja pjellore e zotit Rama, më erdhi krejt natyrshëm në majë të gjuhës dhe të penës togfjalëshi “Barrë ramagjinare”.
Së fundmi, por jo më së paku, dua të nënvizoj edhe diçka tjetër: Meqenëse, pa më të voglin dyshim, zoti Rama, si identitet gjinor, është mashkull, por meqenëse vetë ai pati një “barrë ramagjinare”, mendoj se kemi, në këtë rast kaq specifik, një dukuri mirëfilli të denjë për një skup mrekullisht mediatik: një mashkull – dhe çfarë mashkulli se: kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë! – përjetoi e shpalosi një barrë të tillë! Rast unikal në historinë e species homo sapiens që nxjerr kështu në pah gjenialitetin e të ashtuquajturit homo albanens! Gjithsesi, një pyetje më mundon, së cilës nuk po arrij t’i gjej ndonjë përgjigje të besueshme: Për ç’arsye e tërë kjo histori u vu në skenë pikërisht në Kavajë? Për të diskredituar të djathtën, meqenëse, deri dje, ky qytet i nderuar konsiderohej përfundimisht si bastion i së djathtës shqiptare që nxjerr vazhdimisht e besnikërisht si deputet zotin Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike? Apo për ndonjë arsye tjetër më të thellë, gati të nëndheshme?
© Panorama.al












