Deputeti i minoritetit, anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, Kosta Barka, mbështet regjistrimin e popullsisë duke i akuzuar si cinike dhe ofenduese qëndrimet e mbajtura nga shoqatat dhe zyrtarët që e kanë kundërshtuar këtë proces. Në një konferencë për shtyp ai tha se pozicionimi kundër censusit mbjell urrejtjen ndëretnike. “E konsideroj ligjërisht antikushtetuese dhe në pikëpamjen humane të ulët, cinike, anakronike dhe ofenduese, si për pakicën, ashtu edhe për shumicën, qëndrimin e mbajtur dhe zhurmën e bërë nga disa organizata e media të ndryshme për ta ndaluar procesin e censusit mbi këto parime. Aq më keq kur në këto struktura përfshihen edhe përfaqësues të lartë shtetërorë. Veprimi i tyre është antikushtetues se mbjellin dhe nxisin urrejtje ndëretnike”, u shpreh Barka. Sipas tij, për herë të parë që nga viti 1932, në këtë pyetësor përfshihen pyetjet për etninë dhe për fenë, gjë që sipas tij është sa morale, aq dhe kushtetuese. Në këtë linjë, deputeti i PD-së kritikon vonesat në ngritjen e strukturave dhe përgatitjen e terrenit për realizimin e censusit, teksa i bën thirrje edhe OMONIA-s e PBDNJ-së të mbështesin procesin. “Si pjesëtar i minoritetit etnik grek dhe si deputet i tij, po ndjek me shqetësim indiferencën dhe pasivitetin për procesin e regjistrimit nga ato struktura që pretendojnë përfaqësimin politik të minoritetit etnik grek. Edhe pse e kuptojnë shumë mirë se bëhet fjalë për një kërkesë me rëndësi historike për këtë minoritet, këto struktura dhe, në radhë të parë, OMONIA dhe e PBDNJ-ja udhëhiqen nga taktika e njohur e tyre e tipit ‘më mirë të ekzistojë një problem, që të kemi të flasim, sesa të gjejë zgjidhje ai’”, tha Barka.











