Ditën ndërkombëtare të muzikës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do ta festojë me një koncert recital të baritonit shqiptar Kreshnik Zhabjaku, i shoqëruar në piano nga prof. Julian Kwok. Zhabjaku, i cili prej vitesh zhvillon karrierën e tij jashtë vendit, duke kënduar në skena të njohura të Europës e në veçanti në ato amerikane, ka vendosur ta kremtojë këtë ditë të shënuar të muzikës, pikërisht në vendin e origjinës. Në programin e koncertit janë përfshirë vepra nga Quilter, Finzi, Duparc, Verdi, Kola, Dizdari, Harapi, Brahms e Rahmaninov. E ftuar në këtë koncert do të jetë edhe sopranoja Marjana Leka. Zhabjaku ka nisur hapat drejt muzikës në moshë fare të njomë. Shumë shpejt, kantoja lirike do të bëhej rruga drejt suksesit. Në karrierën e tij numërohen dhjetëra role, në skena të rëndësishme botërore. Pas 10 vjetësh largimi, Zhabjaku u kthye në Tiranë në vitin 2008 për të interpretuar në operën “Berberi i Seviljes”, ku u mirëprit nga publiku shqiptar.











