Bare: Aleancë edhe me LSI për të larguar Berishën

Jul 28, 2011 | 9:55

Kreu i PS së Tiranës, deputeti Besnik Bare, nuk përjashton koalicion bashkëpunimi me LSI apo dhe me PDIU-në. Në një intervistë për “Panorama”, shprehet se në të ardhmen aleancat e PS ndonjëherë duhen parë edhe në funksion të së keqes më të vogël që i krijohet vendit.

Duke folur për zgjedhjet vendore dhe manipulim, sipas tij, të rezultatit nga ana e maxhorancës, Bare shprehet se “PS duhet të gjejë mënyra si të përballojë vjedhjen e votës, përdorimin e rrugaçëve që futen me violence në qendër votimi e rrahin komisionerin e PS. Si të shpëtojë qytetarin e zakonshëm nga presioni i shtetit”. Sipas tij, “në rast të kundërt, ka rrezik që vendi të kalojë në zgjidhje spontane e ndoshta dhe konfliktuale”. Lidhur me propozimet e kolegut të tij Arben Malaj, për ndarjen e mandateve dhe kufizimin e tyre, kreu i PS-së Tiranë shprehet i hapur për debat, por thekson se ky debat duhet të bëhet në momentin e duhur dhe vendin e duhur.
Tashmë dimë rezultatin e Tiranës, ku PS nga 9 njësi minibashki drejton 4. Përveç akuzave që i janë bërë maxhoranacës për manipulim, ka përgjegjësi brenda PS për këtë rezultat?
Pyetja juaj më kujton një grimcë humoristike në estradën e Fierit, të interpretuar nga Luftar Paja, kur i vodhën lopën dhe e akuzuan se e kishte fajin i zoti, dhe jo vjedhësi. Vetëm një shoqëri e mësuar të jetë e shtypur
e trajton problemin në këtë optikë, kaq thjesht. Tirana e votoi Ramën dhe PS-në si kurrë më parë, në mënyrë të natyrshme. Nëse nuk konsiderojmë votat e LSI në 2007-n dhe po ashtu në 2011-n, Rama ka një rritje të jashtëzakonshme prej më shumë se 4 5000 votash, ndërsa Basha me rreth 28 mijë vota bashkë me LSI. Vota pro Ramës kishte 2 vektorë, i pari, falë profilit të Bashkisë së Tiranës dhe Ramës si transformues i Tiranës dhe i dyti,
përfaqëson votën anti-Berishë. Ndërsa votat e Bashës ishin të përbëra nga votat e përkrahësve të PD dhe LSI, banorë të qytetit, por të pamjaftueshme për të fituar. Importimi i votave, votimet dyherëshe, votimi i emigrantëve
pa ardhur në Shqipëri, blerja dhe presioni, përbëjnë komponentin tjetër. E,
megjithatë, Basha humbi. Sa i takon pyetjes suaj, edhe kur realisht fiton, gjithmonë ka vend për të bërë më shumë në organizim, përzgjedhje kandidaturash, përballim të presionit të qeverisë, që shpesh involvoi dhe segmente të kriminalizuara. Më saktë, PS duhet të gjejë mënyra si të përballojë vjedhjen e votës, përdorimin e rrugaçëve që futen me violence në qëndër votimi e rrahin komisionerin e PS. Si të shpëtojë qytetarin e zakonshëm nga presioni i shtetit. Pra, duhet të investohet të vendosë demokracinë reale. Në rast të kundërt, ka rrezik që vendi të kalojë në zgjidhje spontane e ndoshta dhe konfliktuale.

Kryetari socialist, zoti Rama, është shprehur për një kurs të ri politik të PS duke filluar nga shtatori. Ky kurs mund të shihet edhe si reflektim i  deritanishëm ndaj bojkotit apo një fryme radikale në PS pas zgjedhjeve të 2009-s?
Ju jeni në dijeni të punës që po bëjnë dy grupe të mëdha lidhur me statutin dhe programin. Besoj se risitë në këto dy dokumente do të ekspozojnë dhe kursin që ju bëni fjalë. Pra, mendoj duhet pritur vjeshta. Sidoqoftë, përvoja e këtyre viteve ka shtruar si nevojë të bëhen ndërhyrje të rëndësishme në kornizën ligjore të funksionimit të shoqërisë shqiptare, duke nisur nga elementi themelor ligjor e deri në funksionimin e shumë mekanizmave që quhen të pavarur, por që në fakt janë instrumente të PD-së. Kam parasysh
KQZ-në, Kolegjin Zgjedhor etj. Kjo gjendje në Shqipëri vjen pasi Berisha ka synuar, qoftë si President, qoftë si Kryeministër, të ketë në duar këto institucione, pasi ato i sigurojnë përjetësinë në pushtet edhe kur s’ka votën e popullit. Pa këtë iniciativë ligjore, demokracia në Shqipëri mbetet thjesht
iluzive. Përvoja Berishiane ka treguar se vetëm vendosja e demokracisë reale, ligjore dhe implementuese mund të shmangë të vijë një Berishë tjetër nga cilido krah. Ajo që ne kërkojmë sot, është kufizim për PS nesër, kur të vijmë në pushtet, në respektim të demokracisë. Pra, PS është për ndarje të pushtetit, ku opozita me ligj real të ketë statusin  e saj oponent, por edhe si partner dhe ku institucionet e pavarura mbeten realisht të tilla. Këtu do përmendja edhe rregullimin me ligj të statusit të shoqërisë civile, përsëri
si oponente, por edhe si partnere. Për fat të keq, edhe shoqëria civile ndihet dhe është përdorur, ndaj zërat e saj në shumicën e rasteve i bëjnë elozhe qeverive ose i bëjnë oponencë planeve retrospektive.

Duke folur për bojkotin, mendoni se, nisur edhe nga apeli i BE-së për plotësimin e 12 prioriteteve për statusin e vendit kandidat, do të duhej që Kuvendi të mos kishte bërë pushime dhe të gjithë deputetët të punonin mbi këto detyra shtëpie?

Problemi themelor në Shqipëri është i lidhur me nevojën e funksionimit të
demokracisë, e cila përcaktohet në rradhë të parë nga cilësia e procesit të votimit. Pa zgjidhur këtë problem, ne do gënjejmë veten, popullin dhe pastaj edhe BE. Eshtë si të flasësh për katin e 2-të, 3-të, apo të 12-të, kur s’ke ndërtuar themelet. BE, pozita, opozita dhe populli shqiptar duhet ta verë
dorën ku është plaga. Personalisht jam i mendimit se duhet gjetur një mekanizëm ku të mos kemi deputetë të perjetshëm, kryeministra të përjetshëm. Kjo bëhet e mundur kur votuesit i lexohet vota ashtu si e hedh, pra hiqet manipulimi. Më duket naive kur flitet se Shqipëria nuk integrohet
se nuk janë miratuar 1, 2 apo 10 ligje. Duhet zgjidhur problemi i zgjedhjeve të
lira, i shprehjes së vullnetit të lirë. Kjo është ABC-ja që na kanë mësuar me të drejtë ndërkombëtarët.
Sistemi aktual zgjedhor imponon domosdoshmërisht krijimin e aleancave sa më të gjera nga ana numerike, por edhe cilësore nga ana e peshës elektorale. Cili është mendimi juaj ndaj qasjes që duhet të ketë PS ndaj partive që tashmë janë në koalicion me PD, si LSI apo PDIU për një koalicion të ardhshëm zgjedhor?
Janë forumet e PS që do të vendosin dhe unë pa dyshim do t’i respektoj ato. Nuk them gjë të re duke shtuar se në aleanca duhet maturi, kujdes, duhet marrë parasysh edhe ndarja e pushtetit nesër. Puritanizëm është e vështirë të gjesh sot në shoqërinë e deformuar shqiptare. Mendoj se nëse kostoja
e bërjes aleancë është më e vogël se qëndrimi i Berishës në pushtet, unë do të justifikoja çdo aleancë me forca politike legale.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë zonja Meksi apo zoti Malaj hodhën idenë e hapjes së PS ndaj elitave të spikatura intelektuale dhe profesionale. Cili është mendimi juaj rreth këtyre propozimeve? Si e shikoni raportin mes biznesit dhe politikës në partitë politike shqiptare?
Në fakt, ka qenë Rama, i cili që kur erdhi në PS, ka folur shpesh për nevojën e hapjes së PS në të gjitha nivelet, “të prishjes së mureve rrethuese” që nivele të ndryshme partiake mund të ngrenë. Ishte kjo frymë që solli modifikimin e statutit dhe krijim lehtësirash për pranime në parti, deri nëpërmjet
internetit. Në vazhdimësi ka qënë orientim domosdoshmëria e përfshirjes në fushata e procese zgjedhore të përfaqësuesve të biznesit apo njerëzve të spikatur nga grupe të ndryshme interesi. Edhe kolegët e mi, Meksi dhe Malaj, rezonojnë me këtë frymë dhe këtu ka gjithmonë për të bërë shumë.

Zoti Malaj ka propozuar ndarje të mandateve në parti nga mandatet legjislative, por edhe përcaktim të mandateve të drejtuesve të PS në të gjitha nivelet. Ndani të njëjtin mendim apo e konsideroni një debat të padobishëm për momentin?
Të them të drejtën, nuk jam njohur me propozimet e Malajt. E vlerësoj për seriozitetin, përvojën dhe profesionalizmin e tij. Sa thoni më sipër, në pamje të parë më duket se ka pjesë racionale në ndarjen e mandateve. Me siguri nëse do të njihesha më gjerë e do të isha pjesë e debatit, do të kisha një mendim më solid dhe mund të rezultojë që ka edhe elementë të tjerë racionalë. Sidoqoftë, jam për debat, por duhen respektuar 2 kritere universale. Momenti kur bëhen dhe vendi. Këto 2 kritere e maksimizojnë ose e minimizojnë rolin e çdo propozimi për debat apo inisiative në përgjithësi.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura