Barazon Vllaznia, shkodranët “dajak” Levit

Feb 24, 2012 | 12:17

Incidenti, tifozët godasin me topa bore teknikun çek.

Vllaznia-Skënderbeu mbyllet në barazim, ashtu sikundër edhe Laçi-Flamurtari, por sfida e luajtur në Shkodër u sfumua nga topat e borës që tifozët hodhën në fund të ndeshjes ndaj trajnerit të korçarëve. Në dy takimet e tjera fitojnë Tirana e Kastrioti. Në “Loro Boriçi” u luajt edhe ndeshja më e fortë e takimeve të treta të çerekfinaleve të Kupës në ndeshjet në grupe mes Vllaznisë vendëse dhe Skënderbeut kampion i vendit në fuqi.  Trajneri Rudi Vata hodhi në fushë një skuadër me pak ndryshime nga e shkuara, duke vijuar të besojë te të rinjtë, ndërkohë që kolegu i tij, Stanislav Lev, i besoi 11-shes që mori fitoren spektakolare në Berat, në javën e 14-të të Superiores. Duhet thënë se megjithëse vendësit luajtën më mirë, me raste të shumta dhe duke dominuar pjesën më të madhe të lojës, ajo që mungoi ishte saktësia para portës. Ndërkohë, kanë stonuar para katërkëndëshit të Vujadinoviçit edhe kampionët korçarë, çka bëri që sfida të mbyllej në barazim me rrejta të paprekura. Por, kur takimi kishte përfunduar vjen edhe momenti negativ: teksa trajneri i Skënderbeut ishte afruar para kamerës së televizionit “Supersport” për të dhënë deklaratën e pasndeshjes, tifozët kanë nisur ta qëllojnë me topa bore që nga tribuna. Një i tillë i ra trajnerit çek në fytyrë dhe e detyroi atë që të ndalte prononcimin. Më pas gjendja u bë edhe më e keqe pasi zëvendëstrajneri i Skënderbeut, Lorenc Hysi, nisi të replikojë me tifozët, dy prej të cilëve arritën që të zbrisnin në fushë me qëllim që të qëllonin trajnerin dhe zëvendësin e tij. Por ndërhynë menjëherë forcat e rendit dhe incidenti për fat u mbyll me kaq. Gjithsesi, pritet që edhe për Vllazninë në rastin konkret të merren masa nga ana e Komisionit të Disiplinës dhe me gjasa klubi minimalisht do të ndëshkohet me gjobë. Ndërkohë në po këtë grup, edhe Laçi dhe Flamurtari nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola. Ndeshja u luajt në “Selman Stërmasi” në kryeqytet, pasi fusha e Laçit është e dënuar deri në fund të sezonit nga Disiplina. Ndërsa në grupin A, Tirana arriti të përmbysë rezultatin në mënyrë krejt të çuditshme në minutat e fundit të ndeshjes, pasi kishin qenë kamazalinjtë ata që kishin kaluar të parët në avantazh. Vendësit e gjetën golin shumë shpejt, që në minutën e 11-të, me anë të Manukës. Ndërsa bardhebluve iu deshën jo pak, por 84 minuta lojë për të shënuar golin e parë dhe barazuar në 1-1 rezultatin. Pak minuta më vonë, Kamza shpërfytyrohet totalisht dhe Morina dyfishon shifrat në favor të Tiranës, duke përmbysur në mënyrë rekamboleske epërsinë e hershme të skuadrës së De Vekis. Në po këtë grup, në Krujë luajti Kastrioti vendës me Bylisin. Takimi i ngjau një stërvitoreje, pasi të dyja skuadrat luajtën hapur dhe me raste të shumta për shënim. Ndërkohë u shënuan plot 6 gola, nga të cilët 4 nga vendësit dhe 2 nga miqtë. Duhet risjellë në kujtesë fakti se ambiciet maksimale të Kastriotit janë në kupë, përmes së cilës mendon se mund të arrijë zonën europiane.

Rubio i sinqertë: Fituam me fat
“Kamza shënoi shpejt, pati rastet e saj dhe me kundërsulm na rrezikoi shumë, por edhe ne patëm rastet tona. Kamza ishte një ekip shumë i mirë, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi, ndërsa për ne lojtari më i mirë ishte portieri Lika. Këto janë fakte dhe duhen thënë. Momenti i golit të barazimit? Ishte gol i rregullt. Edhe po të isha trajner i Kamzës kështu do të thosha, pasi në një aksion individual ai lojtar shënon golin, me një logjikë sportive nuk është në pozicion të parregullt”, tha trajneri i Tiranës.

Dushku përfundon në spital
Mbrojtësi i Tiranës, Erion Dushku, është dëmtuar rëndë ditën e djeshme gjatë ndeshjes me Kamzën pas një dyluftim ajror në mesfushë me sulmuesin vendës Enco Malindi. Lojtari doli menjëherë nga fusha e lojës i gjakosur, duke krijuar jo pak panik në shkallët e stadiumit. Ndërkohë drejtuesit e klubit bardheblu, duke parë gjendjen e lojtarit, vendosin që ta dërgojnë menjëherë drejt Spitalit Ushtarak për vizita më të qarta. Mësohet se pasi është mjekuar Dushku është rikthyer në shtëpi dhe nuk dihet nëse do luajë në ndeshjen e javës tjetër.

Vlorë/ Bashkia, 53 mln lekë për sportin
Nuk ka kaluar pa debate në Këshillin Bashkiak të Vlorës miratimi i fondit të parashikuar për skuadrën e futbollit. Disa nga këshilltarët e djathtë i kanë shfaqur hapur kundërshtimet e tyre për buxhetin, të cilët e kanë cilësuar shumë të madh për një ekip që shumë shpejt do të kalojë në pronësi private. Megjithatë, në fund të mbledhjes, këshilltarët kanë miratuar 530 milionë lekë të vjetër për futbollin, shifër që është rreth 15% më pak se një vit më parë, kur ka qenë 624 milionë lekë të vjetër. Këto parà do përdoren kryesisht në investime, por jo për rroga të futbollistëve.

Kupa e Shqiperise
Grupi 1

Kamza-Tirana        1-2
Shënues: Manuka 11’/ G.Lika 84’, Morina 88’
Kastrioti-Bylis        4-2
Shënues: Turdiu 23’, 26’, Xhihani 70’, J.Agolli 90’/ Xhon Huan 58’ (p), Abazaj 89’
Renditja – Tirana 7 pikë, Kastrioti 4 pikë, Bylis    dhe Kamza nga 2 pikë.

Grupi 2
Vllaznia-Skënderbeu    0-0
Laçi-Flamurtari        0-0
Renditja – Skënderbeu 7 pikë, Vllaznia 4 pikë, Flamurtari dhe Laçi nga 1 pikë.
Shënim: Flamurtari është dënuar me -3 pikë nga Komisioni i Disiplinës.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura