Tirana ka dalë e hidhëruar dje nga “Qemal Stafa”, edhe pse barazoi me norvegjezët e Alesundit. Sfida, e cila është ndjekur nga më shumë se 6 mijë tifozë bardheblu të pranishëm në shkallët e stadiumit, ka prodhuar emocione të forta, por në fund ata që kanë arritur të dalin më të fituarit janë miqtë, të cilët shënuan edhe një gol dhe janë më të favorizuar për të kaluar në turin tjetër të Ligës së Europës, pasi ndeshjen e kthimit një javë më pas do ta luajnë në shtëpi. Për bardheblutë e drejtuar nga Hulian Rubio, shënoi në minutën e 38-të Çota, ndërsa në të 57-tën barazoi Stjuart. Bardhebluve do t’iu duhet një mrekulli për t’u kualifikuar për në turin e tretë.
Pjesa e parë
Minutat e para të takimit kanë shumë ritëm dhe norvegjezët janë të përqendruar në sulm, duke u bërë një rrezik permanent për portën e mbrojtur nga Ilion Lika. Stjuart nuk markohet siç duhet nga mbrojtësit kryeqytetas, kësisoj, në minutën e 19-të ai gjuan lehtë brenda zonës, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Tiranës. Në kampin bardheblu ka vetëm drithërima dhe asgjë më shumë. Pas këtij momenti të rrezikshëm, Tirana shton ritmin e lojës dhe gjendet më shpesh përballë portës së mbrojtur nga Grytebust. Ky i fundit neutralizon disa raste të rrezikshme të Çotës, por edhe të Ferrajt. Ndonëse nuk ia del dot ta bëjë këtë në minutën e 38-të, kur edhe vjen goli i parë i takimit. Taku spostohet bukur në krahun e majtë të zonës kundërshtare, pasi ka marrë një pasim nga Sina, e prej aty arrin të shërbejë për Çotën. Ky i fundit nuk gabon, por e dërgon topin në trekëndëshin e kundërt të Grytebust. 1-0 dhe Tirana është në delir, ndërsa Rubio kërkon më shumë përqendrim nga skuadra e tij. Në minutat e mbetura të dyja skuadrat janë tepër të kujdesshme, ndërsa bardheblutë mund të shënonin edhe golin dytë, në mënyrë që të ishin edhe më të qetë.
Pjesa e dytë
Fraksioni i dytë i lojës, ashtu si i pari, është më i mirë për miqtë. Tirana mbrohet e përpiqet të shfrytëzojë kundërsulmin dhe kroset nga krahët, por e ka pothuajse të pamundur të çajë në mbrojtjen shtatlarte të norvegjezëve. Në minutën e 54-t Gilman Lika hedh një top rrafsh me tokën në shtyllën e parë të miqve, aty ku Çota nuk arrin dot. Portieri i Alesundit ia del ta kontrollojë sferën në dy kohë, duke shmangur këtë rast të rrezikshëm për ekipin e tij. Por, vetëm tri minuta më vonë, në të 57-tën, Stjuart do ta bëjë gjithçka mirë në zonën bardheblu. Edhe pse i rrethuar nga tre mbrojtës, sulmuesi arrin të shmangë një prej tyre dhe të gjejë pak hapësirë për të lëshuar një silurë. Ilion Lika, megjithëse mundohet në maksimum, e ka të pamundur t’ia ndryshojë drejtimin topit, i cili shkon në krahun e kundërt të tij dhe përfundon në rrjetë. 1-1 dhe të gjithë presin shpërthimin e Tiranës për të shënuar golin e fitores, por ky i fundit nuk vjen. Rubio bën dy lëvizje në fushë, duke hedhur Tushen dhe Morinën në vend të Ferrajt e Muçollarit, megjithatë, rezultati prapë nuk ndryshon. Norvegjezët mbyllen në mbrojtje, për rrjedhojë me Çotën të vetëm të sulm bardheblutë e kanë të pamundur të çajnë. Megjithëse Çota, një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt ka një shans të artë për të shënuar. Sulmuesi merr një pasim të saktë nga G.Lika, por në momentin vendimtar nuk arrin të shënojë përballë portierit kundërshtar. Katër minutat shtesë nuk sjellin asgjë në shifrat e këtij takimi. Në pjesën e dytë tifozët bardheblu hodhën sende të forta duke ndërprerë ndeshjen për rreth një minutë e gjysmë, duke rrezikuar që klubi të ndëshkohet me gjobë të kripur.
Tirana 1
Alesund 1
Golat: Çota 38′ / Stjuart 57′
Tirana: Lika, Sina Dushku, Pashaj, Ahmataj, Muçollari (Tushe 77′), Karabeci, G.Lika, Taku, Ferraj (Morina 76′), Çota. Trajner: Hulian Rubio
Alesund: Grytebust, Skiri (Ulvestand 33′), Sakestand (Selin 88′), Tollas, Arnefjord, Uembangomo, Matland, Morrison, Çarlsen (Barrantes 68′), Fuhre, Stjuart.
Trajner: Kjetil Redkal
Gjyqtarë: Aliaksei Kulbakov, Andrei Getikov, Denis Sherbakov (Bjellorusi)
Kartonë të verdhë: Muçollari 15′, Sina 68′Këshilltarët
Statistikat
Tirana – Alesund
4 Gjuajtje në kuadrat 1
0 Gjuajtje jashtë kuadratit 1
4 Goditje nga këndi 5
5 Pozicione jashtë loje 0
5 Faulle 5
2 Kartonë të verdhë 0
0 Kartonë të kuq 0
Hulian Rubio: Duhet të fitonim
Trajneri Hulian Rubio, në përfundim të ndeshjes ka analizuar ekipin e tij, por edhe kundërshtarin. E donte një fitore në shtëpi, mirëpo sërish beson, ndonëse si gjithnjë tregohet i kujdesshëm, duke mos bërë premtime. “Nuk e di se sa do na shërbejë ky barazim për ndeshjen e kthimit. Sot (dje) kishin shansin që të ishim ne ata që kontrollimin rezultatin, ndërsa në kthim panorama do të jetë krejt ndryshe. Ata me të vetmin rast që krijuan, që nuk di ta quaj edhe rast, na ndëshkuan, dhe për këtë më vjen shumë po shumë keq. Premtime s’mund të bëj, por ne nuk dorëzohemi. Ky kundërshtar është më i fortë se Spartak Trnava, por edhe ne jemi më mirë se një vit më parë”, tha spanjolli.
Kietil Redkal: Ishin më inferiorë
Kietil Redkal, trajneri i skuadrës së Alesundit, është shprehur më shumë se i kënaqur me rezultatin e ditës së djeshme. Barazimi 1-1 e mban në lojë ekipin e tij, në një kohë që ndeshja e kthimit luhet në Norvegji. Ish-portieri i skuadrës së Arsenalit, i pyetur nga mediat, u shpreh: “Tirana ishte më superiore kundrejt nesh. Këtu ndoshta ndikoi klima me të cilën ne nuk jemi mësuar. Fatmirësisht barazuam. Në të parin dhe të vetmin rast që patën, ndëshkuam me një gol shuam të bukur. Edhe goli i vendësve ishte shumë i bukur. Unë dua të kualifikohemi, mirëpo shanset janë 50 me 50 edhe pas sfidës së parë. Luajmë në shtëpi, kësisoj do të bëjmë të pamundur që të shkojmë në turin e tretë”.











