Baraj: Në Tiranë, ushqime me lista

Sep 19, 2012 | 12:27

Deputeti socialist, Besnik Baraj, ishte dje në zonën e Saukut të Poshtëm për të evidentuar situatën ekonomike në të cilën jetojnë qytetarët. Pasi ka dëgjuar ankesat e qytetarëve për pamundësinë e blerjes së të gjitha ushqimeve të nevojshme por dhe të tregtarëve që janë shprehur se po shtohen çdo ditë ata që blejnë me lista, Baraj është shprehur se situata në vend nuk është ajo që deklaron Kryeministri Berisha. “Përkundrejt asaj që thotë Kryeministri se Shqipëria dhe pa dyshim edhe Tirana është një parajsë ekonomike, se ka zhvillim, tregtia ecën shumë mirë dhe ka rritje nga viti në vit, realiteti është krejt tjetër. Siç mund ta shikoni edhe vetë, bizneset janë pothuajse bosh, ndërsa fjalët e tregtarëve janë shumë të qarta për gjendjen që ata po kalojnë. Shitja e mallrave dhe konsumi i tyre ka rënë jashtëzakonisht dhe njëkohësisht një pjesë e mirë e banorëve merr ushqime me lista shumë të gjata, pa mundur të paguajë edhe bukën e gojës”, u shpreh Baraj. Deputeti i PS ka përsëritur angazhimin e shkruar në programin e PS “Për një Rilindje Shqiptare” për heqjen e takës së biznesit të vogël, për heqjen e taksës së korrupsionit, për heqjen e taksës së kohës dhe përmirësimin real të klimës së biznesit.

© Panorama.al

Te lidhura