
Gjykata e Tiranës vendosi me kërkesë të Ingrid P. pas ikjes së Liam nga banesa.
E shoqja: Dua ndarjen, më braktisi tri vjet me radhë.
Zbardhen arsyet e divorcit bashkëshortor të Liam Osmanit, një prej banorëve të programit televiziv “Big Brother Albania 5”. Më 21 janar 2011, gjykata ka vendosur formalisht ndarjen e tij nga e shoqja, të cilën në fakt e kishte braktisur që nga viti 2008. Sipas Gjykatës së Tiranës, Liam është larguar nga shtëpia e tij bashkëshortore në fund të vitit 2008. Që prej këtij momenti, ai nuk ka folur më me ish-bashkëshorten, duke lënë pa përgjigje arsyet e largimit të tij. Ky fakt nuk është toleruar nga bashkëshortja, e cila i është drejtuar gjykatës, duke kërkuar zgjidhje martese. Divorci i pjesëtarit të njohur si “DJ” i shtëpisë “BB”, është vulosur nga Gjykata e Tiranës në janar të vitit të kaluar. Referuar vendimit gjyqësor, Liam Osmani është paditur nga Ingrid P. Ajo ka kërkuar zgjidhje të martesës pa përcaktuar fajësi për ndonjë prej bashkëshortëve. Martesa e Liam ka marrë fund para se të mbushte pesë vjet jetë. Vetë Liam nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore të divorcit të tij, ndonëse ka marrë dijeni rregullisht nga gjykata.
VENDIMI I GJYKATES
“Bashkëshortët Ingrid P. dhe Liam Osmani, njëherësh ndërgjyqësa në këtë gjykim, kanë lidhur martesë ligjore më datë 30.08.2006, fakt që rezulton nga certifikata e tyre e martesës, lëshuar nga z.gj.civile, Njësia Bashkiake Nr.5, Tiranë. Referuar certifikatës familjare, rezulton se nga kjo martesë ndërgjyqesave nuk u kanë ardhur në jetë fëmijë. Paditësja Ingrid P. i është drejtuar gjykatës me kërkesëpadi për zgjidhjen e kësaj martese, pa u përcaktuar fajësia. Gjykata çmon se kërkesëpadia duhet pranuar, sepse: Sipas paditëses, bashkëjetesa ligjore mes saj dhe të paditurit, me gjithë problematikat e zakonshme të çdo bashkëjetese, është ndërprerë në fund të vitit 2008, me largimin e të paditurit nga banesa bashkëshortore (në atë kohë në Gjermani). Paditësja deklaroi se i padituri (Liam Osmani) nga ky moment ka ndërprerë edhe komunikimin me paditësen, duke e privuar atë njëherësh nga e drejta për të mësuar shkaqet e largimit të tij.
Për sa më sipër, paditësja (Ingrid P.) deklaroi se martesa e saj me Liam Osmanin ka mbetur formale prej pothuajse dy vitesh, duke e humbur tërësisht qëllimin për të cilin u lidh. Pavarësisht këtyre rrethanave, paditësja kërkon që zgjidhja e martesës të bëhet pa u përcaktuar fajësia. Gjykata, në përfundim të gjykimit, duke vlerësuar edhe qëndrimin e të paditurit Liam Osmani për të mos marrë pjesë në gjykimin për zgjidhjen e martesës së tij, me gjithë marrjen dijeni rregullisht, krijoi bindjen se martesa e ndërgjyqësave e ka humbur tërësisht qëllimin e saj. Sa më sipër, gjykata çmon se martesa e tyre duhet të zgjidhet, pa u përcaktuar fajësia”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Muzikanti që u kthye nga Gjermania për BB5
TIRANE – Në profilin e Liam Osmanit, në faqen zyrtare të Top-Channel në internet, në seksionin për programin “Big Brother 5” thuhet se Liam ka qenë një herë i martuar dhe se është divorcuar me konsensus e harmoni me ish-gruan. “Liami ka qenë një herë i martuar, është divorcuar me konsensus dhe harmoni me ish-gruan. Aktualisht është në një lidhje serioze me një vajzë gjermane”, thuhet në të dhënat e profilit të tij. Në lidhje me jetën, në profil thuhet se ai ka lindur në Tiranë, ku ka jetuar deri në vitin 1998. Sipas këtij burimi, në vijim Liam është ndarë për një kohë të gjatë nga Shqipëria. “Ka jetuar një vit në Itali, më pas është shpërngulur familjarisht në Turqi për 4 vite, ku ka bërë punë nga më të ndryshmet. Rikthehet në Shqipëri për një kohë të shkurtër, ku hap një butik rrobash në zonën e ish-Bllokut. I pakënaqur me jetën në Shqipëri, në vitin 2005 Liami vendos të largohet sërish, kësaj here drejt Këlnit. Aty ka kryer një kurs intensiv, i cili e ka formuar dhe specializuar për sterilizimin e instrumenteve të operimit, një fushë që nuk lidhet drejtpërdrejt me mjekësinë”, thuhet në profil. Në lidhje me profesionin aktual, para se të futej në shtëpinë e “Big Brother”, pohohet se punonte si DJ në klubet dhe diskotekat më në zë të Këlnit. “Luan rrymat minimal, tech-house dhe techno. Aktivitetin e tij e ka shtrirë edhe jashtë Gjermanisë në shumë qytete të tjera europiane”, thuhet në profil. Ndërkohë, në faqen e tij zyrtare në rrjetin Facebook thuhet se “ai ka ndryshuar emrin e tij nga Armando në Liam, që njëkohësisht është dhe emri i tij i artit si ‘DJ Liam Mandiaro'”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











