SHKODER- Banorët e fshatit Trush në komunën Bërdicë i kanë lënë 10 ditë afat prefektit të qarkut Shkodër, në lidhje me marrjen e dëmshpërblimeve nga përmbytja e fundvitit të kaluar. Pasi pritën për me shumë se 6 muaj për të marrë paratë për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e dhjetorit 2010, ata janë takuar në zyrën e prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu. Banorët i kanë dhënë një afat 10-ditor, në formën e një ultimatumi, nga ku i kanë kërkuar një datë zyrtare të përcaktuar për marrjen e parave të tyre. Fillimisht ata i kishin dërguar një peticion prefektit dhe qeverisë në lidhje me shqetësimin e tyre, ku kërkonin ndarjen e parave. Por, pasi nuk po merrnin një përgjigje, një përfaqësi e këtij fshati e shoqëruar nga kryetari i komunës Berdicë, Besnik Brahimi, kanë zhvilluar një takim dje me prefektin Cungu. “Ne kërkojmë djersën dhe mundin tonë, pasi u përmbytem nga qeveria. Kërkojmë që të na bëhet sa më parë likuidimi i atyre shumave që na kanë premtuar, sipas përllogaritjeve të bëra nga komisionet e ngritura nga vetë qeveria”, u shprehën banorët në takimin me prefektin. Në fund, ata i dhanë 10 ditë afat prefektit Cungu, që ky i fundit t’u japë një përgjigje zyrtare se kur do të nisë ndarja e parave sipas përllogaritjeve të bëra. Prefekti e ka vlerësuar të drejtë shqetësimin dhe kërkesën e banorëve dhe është shprehur së dëmshpërblimi do të shpërndahet së shpejti, por pa dhënë afate konkrete. “Ndër kontaktet që kemi pasur na është komunikuar që së shpejti qeveria do të vendosë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Ne kemi një shembull të mirë edhe nga viti i kaluar, ku dëmshpërblimet e premtuara të janarit 2010 u morën nga çdo familje në qarkun e Shkodrës. Me po atë logjike dhe me po atë rregull paratë do të merren edhe për përmbytjet e dhjetorit 2010”, u pohoi banorëve të Trushit prefekti Cungu. r.d











