
BALLSH – Qyteti i Ballshit dhe 14 fshatra të tij, prej mesditës së djeshme deri në mesnatë kanë qëndruar në terr. Shkak u bë protesta brenda nënstacionit elektrik të rreth 150 banorëve të zonave rurale, të cilëve ditën e djeshme iu ndërpre energjia elektrike si debitorë të CEZ. Pak kohë pasi punonjësit e CEZ këputën kabllot që furnizonin me drita fshatrat, një grup i madh banorësh, mes tyre dhe kryepleqtë, i janë drejtuar nënstacionit elektrik në Ballsh, duke hyrë brenda në shenjë proteste. Ata kanë mbërritur aty të irrituar, duke deklaruar se nuk do të dilnin nga nënstacioni nëse nuk u riktheheshin dritat. Për të ndaluar ndonjë tragjedi të mundshme, CEZ ka urdhëruar stakimin e nënstacionit, duke lënë pa drita të gjithë qytetin e Ballshit. Pranë nënstacionit elektrik kanë mbërritur forca të shumta të Policisë dhe ato të FNSH-së, por deri afër mesnatës nuk kanë arritur të bindin protestuesit të dalin prej tij. Sipas CEZ-it, familjet të cilave u është ndërprerë energjia janë debitore dhe për këtë arsye është ndërmarrë vendimi i lënies pa furnizim. Nga ana e kompanisë pohohet se dritat nuk do të lëshohen pa dalë dhe protestuesi i fundit nga nënstacioni elektrik. Ky veprim ka shkaktuar reagim dhe te banorët e qytetit të Ballshit, sipas të cilëve nuk mund të ketë të tillë ndëshkim dhe për ta, kur faturat e energjisë paguhen në masën mbi 90 për qind.











