Bankat janë treguar më dorëlëshuara me individët dhe bizneset e mëdha, por jo dhe aq për bizneset e vogla, kur bëhet fjalë për kreditimin. Vrojtimi i tremujorit të dytë të këtij viti i publikuar nga Banka e Shqipërisë lidhur me ecurinë e kreditimit në vend reflekton një sjellje me kontraste. Brenda grupit të bizneseve më të preferuara kanë qenë ndërmarrjet e mëdha, ndërsa ndaj atyre të vogla dhe të mesme janë “imponuar” kushte shtrënguese.
Bizneset
Kreditë me probleme dhe situata e përgjithshme ekonomike ka dhënë efekt shtrëngues të kreditimit për kategorinë e bizneseve. Përgjithësisht bankat kanë preferuar të shtrëngojnë kushtet duke kërkuar më shumë kolateral, por edhe duke zgjeruar marzhin apo duke ulur maturitetin maksimal të kredisë. “Standardet e kredidhënies u shtrënguan lehtësisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por bankat u shprehën se nuk i kanë shtrënguar standardet e kredidhënies për ndërmarrjet e mëdha. Përqindja neto e bankave që kanë raportuar për shtrëngim të standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është rreth 6.2 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me tremujorin e kaluar”, thuhet në raportin e BSH-së. Por ndërsa kushtet janë shtrënguar, kërkesa duket se ka ecur në kahun e kundërt. Pas një kohe rënieje, bankat kanë raportuar rritje të kërkesës për kredi nga bizneset për kapital qarkullues, ndërkohë që kredia neto për investime vijon të mbetet negative. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë lidhur me pritshmëritë për të ardhmen thekson se bankat presin që të mos shtrëngojnë më tej kushtet e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme, e ndërsa për korporatat mund të ketë ndonjë shtrëngim.
Individët
Për individët kushtet e kreditimit në tremujorin e dytë të vitit kanë mbetur thuajse të pandryshuara. Bankat nuk kanë preferuar që të bëjnë shtrëngim të mëtejshëm të kushteve duke lënë kështu të njëjta standardet si për kredinë për blerje banese, edhe për kredinë konsumatore. Gjithsesi, arsyeja pse bankat kanë mbajtur të pandryshuara kushtet e financimit lidhet me nivelin e kredive të këqija dhe me situatën e përgjithshme të individëve apo dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. “Zhvillimet në kushtet dhe kriteret e kredisë për individë, në përgjithësi, reflektuan një politikë të kujdesshme kreditimi. Rritja e kërkesës për kolateral, ulja e madhësisë së kredisë, rritja e komisioneve, zgjerimi i marzhit mesatar dhe zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve”, thuhet në vrojtimin e BSH-së. Lidhur me kërkesën për kredi nga individët vërehet një lloj ngadalësimi, sidomos për blerje banese. Në tremujorin e ardhshëm bankat gjithsesi pritet të lehtësojnë kushtet e kreditimit për individët si për sa u përket kredive konsumatore, edhe atyre për blerje banese.
Kreditimi ne 3-mujorin e dyte
Bizneset
. Bankat shtrënguan kushtet e kreditimit për bizneset
. Shtrëngim më i madh për ndërmarrjet e vogla
. Kushti shtrëngues kolaterali dhe zgjerimi i marzhit
. Për ndërmarrjet e mëdha, situata e pandryshuar
. Kreditë me probleme ndikuan në shtrëngimin e kreditimit
. Situata ekonomike ndikoi në shtrëngimin e kushteve
. Kërkesa neto për kredi në tremujorin e dytë u rrit
. Rënie kërkesa neto e kredisë për investim
. Bankat parashikojnë të mos shtrëngojnë kushtet për kredi në tremujorin e tretëIndividët
. Bankat lanë të pandryshuar kushtet e kreditimit
. Kushtet njëlloj si për blerje banese, edhe për konsum
. Ndikim te kredia e individëve dhanë kreditë me probleme
. Ndikim edhe gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme
. Kushti shtrëngues kolaterali dhe zgjerimi i marzhit
. Tremujori i dytë 2012 pati ngadalësim të kërkesës për kredi nga individët
. Rënie – kredia për blerje banese
. Bankat presin të lehtësojnë kreditimin për individët në tremujorin e tretë të këtij viti
Interesat do të ulen
Në tremujorin e ardhshëm, vrojtimi i Bankës së Shqipërisë shpreh se pritet ngadalësim i kreditimit në lekë dhe rënie e kreditimit në valutë. “Ekspertët e bankave presin ngadalësim të rritjes së kredive të miratuara në lekë dhe rënie të atyre të shprehura në monedhë të huaj për tremujorin e tretë të vitit 2012. Pritjet për normat e interesit të kredive në tremujorin e tretë të vitit 2012 kanë një prirje rënëse për kredinë në valutë. Ekspertët e bankave presin që kredia në lekë të pësojë një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin e kaluar”, vlerëson BSH.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











