
Banka e Shqipërisë: Shtrëngimi do prekë bizneset e vogla dhe të mesme
Ekonomia shqiptare do futet në një cikël krize të frikshëm, të paktën gjatë pjesës së parë të këtij viti. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kushtet për marrjen e një kredie si për bizneset, ashtu edhe për individët do të përkeqësohet edhe më shumë në muajt në vijim. Por, arsyeja që e bën më të vështirë, deri në rrezik, zgjidhjen e kësaj situate, janë vetë bilancet e bankave. Bankat, në sondazhin e fundit, thonë qartë se problemi kryesor i moskreditimit apo vështirësimit të kushteve të financimit të bizneseve dhe individëve, janë kreditë me probleme. Rrethi vicioz në këtë mënyrë bëhet më problematik, pasi kreditë e këqija po rriten si shkak i krizës ekonomike, i uljes së konsumit dhe, nga ana tjetër, bankat nuk do të financojnë për rritjen e këtij konsumi apo investimeve. Sipas specialistëve të Bankës, ka mundësi të mëdha që ekonomia të vijojë të përkeqësohet dhe vetë bankat e shikojnë këtë skenar si më të mundshmin në muajt në vijim. Aktualisht kreditë me probleme janë në nivelin e 19 për qind të totalit të kredive, ndërkohë që parashikimet flasin për rritjen e vështirësive ekonomike.
Situata
“Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese janë situata e kredive me probleme, problemet specifike të sektorit ku operon biznesi dhe situata e përgjithshme makroekonomike. Faktorët që dhanë kontribut për shtrëngimin e standardeve të kredisë dhënë individëve janë gjendja financiare e tyre, kreditë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.” Rezultatet e “Vrojtimit të aktivitetit kreditues” të Bankës së Shqipërisë vërtetojnë qartë se për të dy kategoritë, biznesin dhe individët, kreditë me probleme dhe situata ekonomike janë bërë faktorë frenues për rritjen e financimeve. Bankat nuk japin kredi se kanë shumë kredi të pakthyera dhe se financat e individëve e situata ekonomike nuk garantojnë kthimin e kredive të reja. Por më e keqja pritet në muajt në vazhdim. Edhe pse kërkesa e individëve dhe bizneseve do të shtohet, bankat nuk do të japin më shumë kredi, ose do t’i bëjnë ato më të vështira. “Për sa i përket tremujorit të parë të vitit 2012, bankat presin vijim të shtrëngimit të standardeve, pa bërë dallime për llojin e kredisë dhënë për kapital qarkullues apo për investime. Shtrëngimi pritet të ndikojë më shumë kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sesa atë për ndërmarrjet e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet pritet të jenë të shtrënguara si për kredinë për qëllime investimi, ashtu dhe për atë për financimin e kapitalit qarkullues dhe të inventarëve. Pritjet për kërkesën e bizneseve për kredi në tremujorin e parë të vitit 2012 janë pozitive dhe më të larta krahasuar me pritjet në tremujorin e katërt të vitit 2011. Kërkesa pritet të rritet si për bizneset e mëdha, ashtu dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.”
Parashikimi për individët
Bankat në përgjithësi nuk presin ndryshime të standardeve për kredinë dhënë individëve në tremujorin e parë të vitit 2012, krahasuar dhe me nivelin e tremujorit të fundit të vitit 2011 dhe me pritjet e tyre të shprehura në tremujorin e kaluar. Pritjet për kërkesën e individëve për kredi në tremujorin e parë të vitit 2012 janë optimiste.”
Platforma
Kredia për biznesinFaktorët frenues
Gjendja e huave me probleme në
sistemin bankar;
situata makroekonomike në vend;
problemet specifike të sektorit;
mjaftueshmëria e kapitalit;
gjendja e likuiditetit;
konkurrenca në sistemin bankarFaktorët pozitivë
Vendimet e Bankës së ShqipërisëKredia për individët
Faktorët frenues
Gjendja financiare e individëve;
kreditë me probleme;
zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshmeFaktorët pozitivë
Konkurrenca në sistemin bankar;
gjendja e likuiditetit
NERTILA MAHO
© Panorama.al











