Banka e Shqipërisë “mbyll dyert” për mikrofinancën e kredive të shpejta, nuk do të ketë licenca të reja

May 20, 2024 | 20:41
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndërmarrë një qasje të shtrënguar ndaj dhënies së licencave të reja për institucionet financiare të mikrokredive të shpejta.

MIkrofinance-3-986-768x512

Burime nga tregu bëjnë të ditur se në dy vitet e fundit, disa aplikime të paraqitura nga subjekte të veçanta që mbështeteshin në plane biznesi të këtij lloji janë refuzuar nga Banka e Shqipërisë.

Këtu përfshihen edhe investitorë të huaj, siç është rasti i një prej subjekteve më të rëndësishme të mikrokredisë në Bullgari, Easy Credit.

Banka e Shqipërisë ka argumentuar se nuk do të pengojë licencimin e institucioneve të reja financiare të kredidhënies, por modeli i biznesit të tyre nuk duhet të mbështetet vetëm te kreditë e shpejta, me norma shumë të larta interesi.

Për analogji, banka qendrore nuk përjashton dhënien e licencave për institucione të modelit të NOA apo BESA, që kanë një spektër më të gjerë produktesh dhe klientësh individual dhe biznesi, por duket se nuk do të lejojë licencimin e institucioneve të reja financiare të modelit të IuteCredit apo Kredo Finance, që e kanë ndërtuar biznesin e tyre ekskluzivisht mbështetur mbi kreditë e shpejta konsumatore.

Me sa duket, Banka e Shqipërisë vlerëson se zgjerimi i mëtejshëm i këtij modeli biznesi, përveçse shoqërohet me rreziqe të larta për huadhënësin dhe huamarrësin, nuk i shërben interesit publik.

Mikrofinanca e kredive të shpejta ka njohur një zhvillim të shpejtë në dekadën e fundit. Ky model biznesi mbështetet në marrjen përsipër të rreziqeve të larta, që nga ana tjetër kompensohen nga shuma të vogla të kredive dhe norma shumë të larta të interesit efektiv.

Normat e larta të aplikuara nga institucione u bënë arsyeja kryesore që Banka e Shqipërisë vendosi aplikimin e një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri, në fillim të vitit të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.

Sipas rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, NEI maksimal llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë gjashtëmujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj.

Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës. Ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.

NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.

Megjithatë, përveç aplikimit të një norme interesi tavan, Banka e Shqipërisë tashmë ka vendosur një shtrëngim në këtë segment të tregut edhe në nivel të licencimit./MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura