Banka e Shqipërisë vëren se për aq kohë sa ekonomia do të vijojë të performojë nën kapacitet e rrjedhimisht edhe prodhimi në vend do të jetë i ulët, vendi ynë do të varet shumë nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. “Në tërësi, zhvillimet në kahun e kërkesës dhe të ofertës, si edhe ato në sektorin e jashtëm të ekonomisë, sinjalizojnë persistencë të rreziqeve inflacioniste në vend, deri në fund të vitit aktual dhe situatë më të përmirësuar gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm.” thuhet në raportin e BSH. I publikuar dje, në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë të këtij viti, Banka e Shqipërisë shpjegon se inflacioni gjatë pjesës së parë të vitit ka ardhur si rezultat i një sërë zhvillimesh. Fillimisht ky inflacion erdhi si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, duke filluar nga karburantet deri tek drithërat. Ndërkaq, një kontribut në rritjen e inflacionit në vend duket të ketë dhënë akciza, si dhe shtrenjtimi i medikamenteve pas përfshirjes në TVSH. Një nga masat që Banka e Shqipërisë mori në kushtet e një inflacioni të rritur, ishte ajo e rritjes së normës bazë të interesit të lekut, me 0.25 pikë përqindje në muajin mars. Por, edhe gjatë tremujorit të dytë, inflacioni vijoi të mbetet mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë dhe po kështu mbeten dhe pritshmëritë të paktën edhe për ca kohë. “Inflacioni i tremujorit të dytë të vitit 2011 rezultoi 4.1%. Presionet inflacioniste parashikohen të jenë të larta, por me luhatje më të moderuar dhe me tendencë në rënie përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
RAPORTI I BSH
Inflacioni mesatar për gjysmën e parë të 2011-s 4.1%
Kategoria “Ushqime të përpunuara” 60% të inflacionit total
Shpenzimet totale/PBB 28.4%, krahasuar me 28.2% në 2010
Deficiti fiskal 4.1% të PBB-së, në rritje me rreth 1.5%, krahasuar me 2010-n
Gjatë 5 muajve të I-rë 2011, deficiti tregtar është zgjeruar me 8.8% në terma vjetorë
Eksportet u rritën me rreth 23.3% (krahasuar 62.0% në 2010)
© Panorama.al











