
Greqia nxjerr në shitje 30 ishujt e parë, do të jepen për 50-100 vjet.
Dhe pse Greqia po përpiqet deri në dëshpërim për të shpëtuar nga falimentimi, duke nxjerrë madje në shitje edhe ishujt e saj, bankat e mëdha amerikane po përgatiten mbi konvertimin në një monedhë të re për Greqinë. Banka e Amerikës “Merrill Lynch” po mbush kamionë me para për t’i dërguar në kufirin grek, në mënyrë që klientët e saj të vazhdojnë të paguajnë të punësuarit lokalë, në rast se në këtë vend nuk do të ketë më para. Kështu shkruan prestigjiozja amerikane “New York Times”, duke renditur një sërë kompanish të tjera. Kompania “Ford” ka konfiguruar tashmë kompjuterët e saj në mënyrë që të kalojnë direkt në monedhën e re greke. Të gjitha bankat po përgatisin klientët e tyre të mëdhenj se si të reagojnë në rast të falimentimit të Greqisë. Kështu, janë krijuar llogari të reja për dhrahminë, apo cilado të jetë monedha që do të pasojë euron. Ndërsa banka “JP Morgan Chase” i ka ndërtuar tashmë sistemet me llogaritë e reja për kompani të ndryshme, që ato të mund të përdorin menjëherë monedhën e re të Greqisë. Lajmi u botua ndërkohë që liderët europianë po përpiqen të forcojnë besimin në tregje. Greqia ka premtuar se do t’i përmbahet të gjitha angazhimeve. Për të plotësuar paketën e re të kursimit me 11.5 miliardë euro, autoritetet kanë nisur zyrtarisht shitjen e ishujve të papërdorur e pabanuar grekë. Sipas qeverisë greke, e cila ka bërë gati listën e 30 ishujve të parë, këta do të jepen me një kontratë shitjeje me afat 50 apo 100-vjeçar. Gazeta greke “Ta Nea” shkruan se është vendosur që të nxirren në shitje 30 ishujt e parë, me madhësi territoriale nga 100 deri në 3100 hektarë, të cilët do të jenë larg kufirit për të evituar pretendime të mëvonshme shtetërore.
“Pastrimi i parave”
Greqia është vlerësuar si vend-parajsë për pastrimin e parave. Duke e identifikuar si vendin më të korruptuar në BE dhe të dytin pas Meksikës, ndër vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, presidenti i “Integritetit Global Financiar”, Raimond Beiker, iu referua miliardave të paligjshme. Në një intervistë në revistën gjermane “Der Spiegel”, Beiker theksoi se vetëm gjatë viteve 2003-2011 nga Greqia dolën 207 miliardë euro të paligjshme. “Paratë janë përfituar nga aktivitetet kriminale, korrupsioni dhe evazioni fiskal. Humbja është e madhe për një ekonomi të vogël”, theksoi ai.











