
Brenda datës 15 shtator do të miratohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës projektvendimi i banesave sociale për të pastrehët. Këtë garanci ka dhënë kreu i këshillit, Njazi Kosovrasti.Sipas tij, janë 15 projektvendime që do të përpunohen dhe do të jenë objekt diskutimi në mbledhjen e radhës. ”Këto materiale duhet të kishin kaluar më parë, por meqenëse nuk është mbledhur këshilli, ato janë ripunuar dhe do të jenë pjesë e rendit të ditës në mbledhjen më të parë”, tha Kosovrasti. Ai shtoi se është njohur me këto dosje, të cilat kishin mbetur në tavolinë. “Këto janë materiale të mbetura në tavolinë. Unë jam njohur me to, kam vënë në dijeni dhe kryetarin aktual të Bashkisë dhe do të jenë patjetër gati për t’u shqyrtuar në mbledhjen e parë të Këshillit. Por, përpara se të hyjnë në axhendën e mbledhjes së parë, ato do të rishikohen nëse kanë nevojë për ndryshim, do të bëhen ndryshimet përkatëse dhe më pas do të shqyrtohen në të gjitha nivelet, deri në Këshill Bashkiak”, u shpreh kreu i Këshillit Bashkiak. Ai nënvizoi se banesat sociale për të pastrehët janë ndër pikat e para më të rëndësishme të vendosura në axhendën e punës së Bashkisë së Tiranës. Sipas programit elektronik në të cilin janë regjistruar të pastrehët e qytetit të Tiranës, rezulton se në Tirane janë plotësuar nga ana e qytetarëve rreth 6000 formularë, që u përkasin 11 njësive bashkiake të Tiranës.
Sipas statistikave, kanë kërkuar banesë me kosto të ulët rreth 4500 aplikues, kanë kërkuar banesë sociale me qira 1.500 aplikues. Nga sa konfirmon Bashkia e Tiranës, përzgjedhja e familjeve përfituese do të bëhet bazuar në kriteret e përcaktuara në vendimin e posaçëm të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak. Sipas vendimit të këtij të fundit, përparësi për përzgjedhjen e banorëve të parë të këtyre ndërtesave, do të kenë ato familje shumë të varfra, kryefamiljaret nëna. Qiraja e këtyre banesave sociale do të jetë e ulët dhe me afat të gjatë, në mënyrë që klientët e pastrehë të kenë mundësi që ta përballojnë. Sikurse mësohet paraprakisht, banesat do të kenë përafërsisht të njëjtën sipërfaqe banimi, të njëjtat pllaka, material për dyert, dritaret etj. Një pjesë e madhe e atyre që kane kërkuar të pajisen me banesa të tilla, i përkasin asaj kategorie që kanë lënë shtëpitë ne firma piramidale. Megjithatë, përparësi do të kenë ata që nuk kanë asnjë rrugëdalje apo shpresë për të pasur një shtëpi të tyren dhe për të përballuar një qira normale.
15 dosje
do të përpunohen dhe do të jenë objekt diskutimi në mbledhjen e radhës të këshillit Bashkiak. Këto materiale duhet të kishin kaluar më parë, por meqenëse nuk është mbledhur këshilli, ato do të jenë pjesë e rendit të ditës në mbledhjen më të parë
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











