Banesat e ish-pronarëve, miratohet ligji

Sep 14, 2012 | 11:12

Meta dhe Koka në Parlament

Socialistët heqin kartat në momentin e votimit, pro PD edhe Mediu me deputetët e PDIU, Idrizi e Tahiri.

Votojnë pro 67 deputetë të PD, LSI abstenon: Akti të shtyhet.

Partia Demokratike miratoi e vetme dje aktin normativ për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve. Vetëm 67 deputetë të PD-së, përfshi PR-në dhe PDIU-në, votuan pro draftit të ardhur nga qeveria, pavarësisht kundërshtimeve të shumta të opozitës. Nga ana tjetër, forca kryesore e koalicionit të djathtë, Lëvizja Socialiste për Integrim, abstenoi, ndërsa PS-ja, e cila ishte e pranishme në sallë, hoqi kartat në përpjekje për ta dështuar votimin.
Votimi
Pas rreth 60 minutash debat mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës mbi aktin normativ “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, kryetarja e Parlamentit u kërkoi deputetëve që të përgatiteshin për votim. Gjatë këtij momenti deputetët e Partisë Socialiste hoqën kartat e votimit me shpresën se të njëjtën gjë do të bënte edhe LSI, për të bllokuar votimin. Kjo lëvizje e PS-së erdhi edhe pas konstatimit të faktit se ishin tre deputetë të Partisë Demokratike dhe kreu i Frymës së Re Demokratike që mungonin në votim. Kryeministri Sali Berisha, ministri i Inovacionit Genc Pollo dhe deputeti i qarkut të Elbasanit, Sybi Hida, nuk ishin të pranishëm gjatë momentit të votimit. Por, pavarësisht këtyre mungesave, 67 deputetë, ku përfshihet edhe Fatmir Mediu dhe dy deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, votuan pro aktit normativ. Votës pro iu bashkua edhe ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo. Ndërsa tre deputetët e tjerë të LSI-së, Ilir Meta, Lefter Koka e Nasip Naço, si dhe deputeti i pavarur Kastriot Islami, abstenuan.
Qëndrimi i LSI
Përpara votimit, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, kërkoi që akti normativ të shtyhej në kohë. “Akti normativ është një çështje shumë më delikate dhe sensitive, sesa ky debat i vetëm që po ndodh në seancë. Ajo që doja t’ju thosha, zotërinj deputetë, është se Shqipëria është e ndarë në ish-pronarë dhe të pastrehë, ndaj miqësisht do të doja që mos i konsideronim si kredo politike nëse do të përkrahnim njërin apo tjetrin grupim. Unë mendoj se të pastrehët dhe ish-pronarët janë qytetarë të këtij vendi dhe gëzojnë banesat e tyre, disa të tjerë gjendjen në vështirësi të mëdha. Jemi të shpejtuar për të marrë këtë vendim, dhe kjo kërkon një mendim më të specializuar dhe më të zgjeruar. Ndaj dhe Grupi i LSI-së mendon se ky akt normativ të shtyhet në një seancë tjetër parlamentare”, tha Koka.

Votimi
Aktin normativ nr. 3., datë 1.08.2012, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”.

Pro: 67 deputetët (PD + PR + PDIU)
Kundër: 0
Abstenim: 4 (Ilir Meta, Lefter Koka, Nasip Naço, Kastriot Islami).
Mungonin: Gazmend Oketa, Sali Berisha, Genc Pollo, Sybi Hida, Vangjel Dule, Dritan Prifti dhe deputetët e PS.

Banorët e shtëpive, protestë para Kuvendit

Protesta e banorëve që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve

Dhjetëra qytetarë, banorë të shtëpive të ish-pronarëve, janë mbledhur dje para Parlamentit për të protestuar kundër aktit normativ që do të miratonte maxhoranca pak orë më vonë. Ata kanë kërkuar nga deputetët, veçanërisht nga ata të opozitës, që ta rrëzojnë aktin, pasi sipas tyre, drafti ligjor nuk i trajton ata njësoj si ish-pronarët. Banorët kanë refuzuar ta marrin kredinë për shkak se e kanë të pamundur që ta paguajnë atë dhe kanë kërkuar shtëpi nga shteti. Në të njëjtën kohë ata kanë kujtuar faktin se gjatë këtyre 20 viteve i kanë paguar shtetit qira për shtëpitë që kanë pasur në përdorim.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura