Banesat e ish pronarëve, miratohet akti normativ

Sep 13, 2012 | 16:35

TIRANE- Pas shumë diskutimeve Parlamenti votoi sot me 67 vota pro dhe 4 abstenim aktin normativ për lirimin e banesave të ihs pronarëve. Deputetët që abstenuan janë Ilir Meta, Nasip Naço, Lefter Koka dhe Kastriot Islami. Opozita e kundërshtoi aktin, duke mos marre pjese ne votim. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri u përfshinë në debate të ashpra, që sollën edhe ndërprerjen e sencës për disa minuta

Topalli ka akuzuar socialistet se i urrrejne pronaret, ndersa deputeti Tahiri mesohet se kete thene se nga ky ligj perfitojne, Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, si dhe ministra e deputete te tjere te PD-se.

Kuvendi miratoi gjithashtu edhe projektligjin për ndërtimin e Bypassit të Fierit. Ky projektligj pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, u miratua me konsensus me 124 vota pro.

Që në krye të herës, deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri kërkoi që të merreshin 5 minuta pushim, me qëllim që tu vihej ne dispozicion të gjithë deputetëve rekomandimi i Avokatit të Popullit, pasi një gjë të tillë nuk e kishte bërë më parë Kuvendi.

Tahiri tha se Avokati i Popullit e ka cilësuar aktin si të papajtueshëm më Kushtetutën, dhe se zbatimi i tij do të ketë pasoja. Kryetarja e Kuvendit, u përgjigj duke thënë se në Parlament nuk është Avokati i Popullit që shikon përshtatshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, por komisioni përkatës.

Në fjalën e tij, deputeti i PD-së, Gerti Bogdani tha se janë 3000 familje që presin drejtësi prej më shumë se 60 vite.  Kjo është vendosja në vend e një të drejtë kushtetuese dhe mbi të gjitha morale, tha Bogdani.

 

© Panorama.al

Te lidhura