Banesa në flakë, digjen 40 milionët e emigracionit

Jul 22, 2011 | 11:10
Banesa e djegur në Korçë

Shkrumbohet banesa me rreth 40 milionë lekë brenda, shpëton mrekullisht fëmija 10 vjeç që ndodhej në gjumë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në banesën e 76-vjeçares Vera Shaholli, në fshatin Voskop të Korçës.Burime të policisë bënë të ditur se si pasojë e një shkëndije elektrike është djegur jo vetëm shtëpia dykatëshe, por edhe rreth 40 milionë lekë të vjetër, të ruajtur brenda në këtë banesë. Gjashtë anëtarët e familjes Shaholli tashmë ndodhen në qiell të hapur. Ata kanë mbetur vetëm me teshat e trupit, pasi nuk arritën të shpëtonin asgjë. “Nga hetimet e kryera rezultoi se shkaku i zjarrit të fuqishëm, që shkaktoi dëme të konsiderueshme për këtë familje, ishte pasojë e një shkëndije elektrike në kuzhinën e saj, ndërsa përfshiu gjithë shtëpinë që përbëhej prej 8 dhomash”, tha policia. Sipas rrëfimeve të familjarëve, në momentin e zjarrit ka qenë në shtëpi vetëm djali 10-vjeçar, i cili ndodhej në gjumë dhe është shpëtuar nga fqinjët. Ata kanë parë zjarrin dhe kanë nxituar menjëherë, duke arritur të shpëtojnë të miturin nga flakët që e kishin rrethuar.

Vera Shaholli

Pasi është sinjalizuar për zjarrin, babai i fëmijës, Haxhi Shaholli, ka rrezikuar jetën për të shpëtuar të paktën kursimet e siguruara nga puna në emigrim. Ai ka arritur të futet në mes të flakëve, në dhomën ku mbante kursimet, por për pak rrezikoi jetën e tij. Tavani i dhomës është shembur, duke bërë që ai të hidhej nga ballkoni i katit të dytë. Për pasojë, ai ka marrë lëndime të lehta nga flakët, si dhe nga hedhja prej lartësisë, por nuk mundi t’i shpëtonte paratë. Sipas banorëve të fshatit, edhe dy vajzat e tij, 20 dhe 18 vjeçe, janë rrezikuar. Në tentativë për të shpëtuar diçka, janë gjendur mes flakëve, por as ato nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë me vlerë. Zjarrfikëset e sinjalizuara nga banorët nuk kanë vonuar, por pas shuarjes së zjarrit kishin mbetur vetëm muret e shtëpisë.
“Puna ime dhe e bashkëshortit tim, në 20 vite emigrim u kthye në hi sa hap e mbyll sytë. Tani nuk kemi më asgjë, thjesht rrobat e trupit. Kishim menduar të rikonstruktonim shtëpinë me lekët e siguruara nga puna e gjatë në kurbet, kurse sot jemi pa asnjë gjë. Kishim në banesë rreth 40 milionë lekë, 17 milionë lekë shqiptare dhe më shumë se 15 mijë euro”,u shpreh mes lotëve Zarife Shaholli. Ajo jetonte së bashku me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj në të njëjtën banesë me nënën 76-vjeçare dhe kishin planifikuar të nisnin punimet për ndërtimin e një shtëpie të re. Banorët e fshatit u shprehën se nga kjo ngjarje është rrezikuar edhe jeta e fëmijës 10 vjeç, i cili ndodhej i vetëm në banesë. Ata janë futur më mes flakëve dhe e kanë nxjerrë, pasi ai ndodhej në gjumë dhe nuk i kishte ndier flakët. “Kërkojmë të na ndihmojë shteti, pasi ne kemi mbetur pa asgjë. Na u dogj gjithçka që kishim. Të paktën të na dëmshpërblejnë dhe të rindërtojmë shtëpinë”, u shpreh dje kryefamiljari Shaholli. Sipas tij, e gjithë puna si emigrant jashtë shtetit i kishte shkruar dëm dhe se tashmë nuk ka mbetur asnjë shpresë për të dhe pesë anëtarët e tjerë të familjes. Ai i kërkoi ndihmë edhe komunës që të përcjellë zërin e tij, në mënyrë që dëmi i shkaktuar t’i kompensohet.

Bashkia strehon 4 familjet që iu dogjën banesat

Katër familjet, që humbën banesat si pasojë e një zjarri të regjistruar në Lagjen Nr. 6, janë strehuar në një prej konvikteve të shkollave të mesme të qytetit të Korçës. Zyra e emergjencave civile pranë bashkisë së qytetit ka hapur dyert e konviktit të shkollës Bujqësore, duke strehuar 4 familjet e mbetura në qiell të hapur. Edhe pse zjarri u shkaktua në mënyrë aksidentale nga njëri prej fqinjëve që harroi ndezur një qiri, për banorët ende nuk është dhënë asnjë shpresë për rindërtimin e pallatit.

 

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura